Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Shqipëri ndihmon mikrobizneset të rimëkëmben pas tërmetit

“Në mëngjesin e 26 nëntorit, kur shkova në dyqanin tim të llampave, mbeta i shokuar. Qindra llampa ishin thyer në mijëra copa. Katër mijë dollarë dëm. Sfida ime më e madhe ishte si të financoja rimëkëmbjen e biznesit, por, në të njëjtën kohë, të përballoja edhe dëmet në shtëpinë time. Kam tre njerëz të punësuar dhe, ndonëse të ardhurat janë 80% më të ulëta krahasuar me periudhën përpara tërmetit, është e domosdoshme që t’i mbaj në punë”.

Mariglen Lila, nga një dyqan llampash në Durrës.
Mariglen, owner of the Lamp Store

“Unë dhe familja ime jemi me fat që jemi gjallë pas një katastrofe të tillë. Shtëpia jonë ishte në prag të shembjes. Biznesi ynë familjar është një ushqimore në katin e parë. Kur u futa brenda, pashë ushqime dhe shishe të thyera kudo në dysheme. Pothuajse 70% e artikujve ishin në tokë. Ishte ndërprerë edhe energjia elektrike ndaj një pjesë e mirë e artikujve në frigorifer ishin prishur dhe duheshin hedhur. Dëmi ekonomik: rreth tre mijë dollarë”

Agimi, një nga pjesëtarët e familjes që drejton ushqimoren

“Kishim një dyqan të vogël ku bënim petulla dhe byrek. Janë gjërat që hamë më me kënaqësi kur jemi në lëvizje. Konsumohen si një mëngjes i shpejtë apo një kafshatë në punë, apo si ushqimi i preferuar në familje. Klientët e mi janë më së shumti fëmijë e të rritur të lagjes që blejnë diçka rrugës për në shkollë apo punë. Dyqanin e drejtoj bashkë me time shoqe. E pezulluam aktivitetin sepse muret e dyqanit u shembën duke prishur sobat e pajisjet e tjera të kuzhinës. Humbëm çdo gjë. Kjo do të thotë zero të ardhura e, si rrjedhim,  shumë më pak ushqim në tavolinë për pesë fëmijët tanë”

Aliu, që zotëron dyqanin me bashkëshorten e tij

“Pas tërmetit, shume biznese e patën të pamundur të vijojnë punën e tyre normalisht, duke ndikuar tejmase në rrjedhën e shërbimeve, duke prekur jetesën dhe komunitetet, duke shkaktuar humbje të drejtpërdrejta në biznes por edhe humbje indirekte në ekonominë lokale.”

Xheni, studente në Tirana Business University

Këta janë vetëm disa nga zërat e të prekurve nga tërmeti me magnitudë 6.4 që shkundi Shqipërinë më 26 nëntor. Sektorët më të prekur të ekonomisë janë turizmi, prodhimi dhe tregtia. Fatkeqësi të tilla tregojnë se këto ngjarje katastrofike kanë një indikim më negativ në sipërmarrjet familjare mikro dhe të vogla.

Si pasojë e tërmetit, 51 njerëz humbën jetën, 1000 prej tyre u plagosën. Në total, u prekën 222,778 njerëz. 10,225 njerëz që braktisën shtëpitë u akomoduan në 12 pika të ndryshme strehimi e 3,613 në hotele.
Bizneset shërbejnë si shtyllë e fuqisë ekonomike të Shqipërisë. Vetëm mikrobizneset përbëjnë më shumë se 94% të të gjitha kompanive në Shqipëri (deri në 4 punonjës), dhe punësojnë rreth 38% të forcës punëtore të sektorit privat.

Ndërsa Vlerësimi i Nevojave nga Fatkeqësitë (PDNA) është duke u përgatitur, rezultatet fillestare tregojnë probleme domethënëse të tregut, humbje të mjeteve të jetesës dhe mundësive të punësimit në zonat e prekura duke sjellë një ndikim negativ tek të ardhurat dhe duke krijuar sfida më të mëdha për familjet, lagjet e komunitetet, teksa përpiqen të rimëkëmben nga fatkeqësia.

Limya Eltayeb, Përfaqësuese Rezidente e UNDP në Shqipëri ka thënë: “UNDP njihet botërisht si lider në ndihmën ofruar vendeve që po u përgjigjen krizave e po ashtu përpjekjeve për rindërtim dhe rimëkëmbje, si tranzicion drejt zhvillimit afatgjatë. Në terren, në të gjithë vendin, UNDP ka ekspertizën, resurset teknike dhe është mirëpozicionuar për të ofruar punësim emergjent dhe mbështetje në rimëkëmbjen e bizneseve për burra dhe gra”.

In partnership with Tirana Bussiness University, UNDP “diagnosed” the situation of the micro-enterprises after the earthquake

Në vijim, UNDP realizoi një ndërhyrje pilot që synon të stabilizojë mënyrat e sigurimit të jetesës dhe përmirësojë kushtet ekonomike e sociale të disa prej mikrobizneseve të prekura. Kjo ndërhyrje është metodologjia “In Motion” nga UNDP, që është testuar me sukses në vende të tjera të prekura nga katastrofa natyrore.

Ndërhyrja pilot synon të realizojë një diagnostifikim të situatës dhe zbatojë programin “In Motion” në një shkallë të vogël. Kjo gjë mund të përsëritet në një shkallë më të gjerë si pjesë e një programi më përfshirës për Rimëkëmbjen e Ekonomisë dhe Sipërmarrjeve.

Për të pasur një ide më të saktë të problemeve të bizneseve vendase dhe për të marrë një vendim të mirëmenduar për mbështetjen e UNDP-së për ekonominë vendase, ishte thelbësore të kuptohej situata. Në partneritet me Universitetin e Biznesit në Tiranë, disa skuadra studentësh iu drejtuan zonave më të prekura në Durrës për të folur me pronarët e bizneseve mikro dhe të vogla. Gjetjet treguan për shumë dëmtime të infrastrukturës në biznes, humbje të plotë apo të pjesshme të artikujve të biznesit, humbje të klientelës sepse njerëzit kanë braktisur shtëpitë e tyre si edhe humbje të shpresës për të rifilluar nga e para.

Më 27 janar, UNDP mblodhi pronarët e mikrobizneseve më të prekura për t’u prezantuar programin “In Motion” dhe përfitimet që mund të sjellë ky program. 20 prej tyre nënshkruan letrat e angazhimit dhe puna me ta ka filluar. Programi synon të mundësojë rihapjen e 20 mikrobizneseve të dëmtuara, të  përmirësojë aftësitë e tyre menaxhuese, të mundësojë grante për blerjen e pajisjeve si edhe të ndihmojë në modernizimin e imazhit  tregtar të biznesit.

Ky artikull është publikuar në Medium.

Start typing and press Enter to search