UNDP prezanton nisjen e fazës së zbatimit të Programit për Zhvillimin e Furnitorëve

Tiranë, 25 Nëntor 2021 – UNDP ka prezantuar nisjen e fazës së zbatimit të Programit për Zhvillimin e Furnitorëve (Supplier’s Development Programme – SDP) përmes një aktiviteti, ku të pranishëm ishin përfaqësues të Ministrisë se Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bashkisë së Tiranës, përfaqësues të Dhomave të Tregtisë, shoqatave të biznesit si dhe përfaqësues të sektorit privat dhe universiteteve.

Njëkohësisht, aktiviteti shënoi përmbylljen e një procesi 6 mujor trajnimi mbi Metodologjinë e Zhvillimit të Furnitorëve për 11 konsulentë biznesi me përvojë. Konsulentët u trajnuan nga një ekip ndërkombëtar ekspertësh me një përvojë 20 vjeçare në këtë fushë. Trajnimi përfshiu 90 orë trajnimi në klasë, 180 orë trajnim online dhe praktikë në kompani private.

UNDP-SDP-prezantimi-01
Eventi i nisjes së fazës së zbatimit të Programit për Zhvillimin e Furnitorëve. Z. Eno Ngjela, Specialist i Programit në UNDP për Rritjen Ekonomike dhe Punësimin. Foto: UNDP Albania

SDP është pjesë e Programit për Rimëkëmbje Ekonomike dhe Qëndrueshmëri (Economic Recovery and Resilience Programme) nga UNDP, i cili në vazhdën e ndihmës pas tërmetit të 26 Nëntorit 2019 dhe krizës së shkaktuar nga Covid-19, synon të rivitalizojë ekononominë shqiptare duke rritur konkurrueshmërinë e bizneseve të vogla e të mesme dhe forcuar qendrueshmërinë e tyre ndaj rreziqeve dhe fatkeqësive natyrore.

SDP është një qasje ndërkombëtare e  testuar dhe e provuar, e cila është zbatuar me sukses nga UNDP në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, në më shumë se 12 shtete të ndryshme, përgjatë 15 viteve të fundit. Në thelb, programi synon të zhvillojë kapacitetet e furnitorëve kombëtarë, me synim final nxitjen e potencialeve për eksport dhe rritjen e punësimit.

UNDP-SDP-prezantimi-02
Z. Nuno Queiros, Zv. Përfaqësuesi i Përhershëm i UNDP në Shqipëri.
Foto: UNDP Albania

Zv. Përfaqësuesi i Përhershëm i UNDP në Shqipëri, Z. Nuno Queiros, në fjalën e tij u shpreh se Programi i Zhvillimit të Furnitorëve (SDP) ofron zgjidhje për dy kontekstet aktuale. “Programi i Zhvillimit të Furnitorëve ofron zgjidhje për dy lloje të konteksteve që ne i gjejmë aktualisht në Shqipëri. Nga njëra anë, në kuadër të rimëkëmbjes nga një goditje (tërmet dhe Covid-19) në mënyrë që ekonomia të përshtatet me kontekstin e ri dhe karakteristikat e kërkesës në kushte më të mira. Nga ana tjetër, në kuadrin e një zhvillimi në tranzicion të vazhdueshëm nëpër të cilin po kalon Shqipëria.”- tha Z. Queiros.

UNDP-SDP-prezantimi-03
Z. Enio Civici, Zv. Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural,
Foto: UNDP Albania
UNDP-SDP-prezantimi-04
 Z. Genci Kojdheli, Drejtor i Përgjithshëm i Projekteve Strategjike dhe Investimeve të Huaja, Bashkia Tiranë. Foto: UNDP Albania

Menaxherja e Projektit për Rimëkëmbjen Ekonomike dhe Qëndrueshmërinë, znj. Elsa Denaj, nënvizoi qëllimin e projektit që është rivitalizimi i ekonomisë shqiptare. Sipas saj, ky qëllim do të arrihet nëpërmjet dy metodologjive të biznesit, të cilat UNDP i zbaton për herë të parë në Shqipëri: In Motion dhe SDP. Krahas rëndësisë që ka SDP, znj. Denaj theksoi edhe rezultatet e shkëlqyera të programit ‘In Motion’, i pilotuar me sukses në 15 biznese në bashkinë Durrës menjëherë pas tërmetit të nëntorit 2019: “Rezultatet e pilotimit të ‘In Motion’ ishin qartësisht një sukses, dhe metodologjia arriti rezultate shumë të mira me mikrobizneset duke i bërë më të qendrueshëm në treg, me më shumë kanale shitjeje dhe me kapacitete menaxhuese të përmirësuara, nëpërmjet trajnimeve në grup, asistencës teknike të personalizuar dhe rritjes së kapaciteteve prodhuese nëpërmjet granteve për pajisje biznesi.”

UNDP-SDP-prezantimi-05
Znj. Elsa Denaj, Menaxhere e Projektit për Rimëkëmbjen Ekonomike dhe Qëndrueshmërinë.
Foto: UNDP Albania

Koordinatorja e SDP, znj. Jona Dundo, duke nënvizuar potencialin e SDP, tha se ky është një program i mirëstrukturuar, i përbërë nga disa instrumentë që mundësojnë zbatimin me sukses në praktikë të kësaj metodologjie. “Në këto instrumente përfshihet skuadra e menaxhimit të UNDP për këtë program, e cila do ta ndjekë implentimin e tij ditë pas dite për të siguruar performancë të duhur nga pikëpamja e konsulentëve dhe kompanive. Gjithashtu, instrumentet e tjerë janë platforma online e dedikuar që na garanton monitorim efektiv, dhe më e rëndësishmja, skuadra e konsulentëve të biznesit, të cilët kanë kaluar në një proces intensiv trajnimi 6 mujor, ku e kanë praktikuar metodologjinë në kompani reale në Shqipëri.”- u shpreh znj. Dundo.

UNDP-SDP-prezantimi-06
Znj. Jona Dundo, Koordinatore e Programit të Zhvillimit të Furnitorëve.
Foto: UNDP Albania

Në fjalën e tij përmbyllëse, Z. Eno Ngjela, Specialist i Programit në UNDP për Rritjen Ekonomike dhe Punësimin, u bëri një ftesë të hapur të gjithë partnerëve për të vazhduar më tej komunikimin, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit për zgjidhje dhe qasje të reja në mbështetje të sektorit privat në Shqipëri.

Zbatimi do të nisë me përzgjedhjen e sektorëve të ekonomisë si dhe me zinxhirë specifike vlerash ku programi do të ndërhyjë nëpërmjet instrumenteve të metodologjisë. Kompanitë kryesore dhe furnitorët e tyre, të cilët do të jenë pjesë e programit, do të nisin një udhëtim 10-12 mujor, ku gjatë të cilit, me mbështetjen e asistencës teknike nga konsulentë të trajnuar, do të fokusohen në ngritjen e kapaciteteve, përmirësimin e cilësisë dhe standardeve të produkteve dhe shërbimeve, si dhe zgjerimin e aksesit në tregjet kombëtare dhe ndërkombëtare.

Programi i Zhvillimit të Furnitorëve, pjesë e Projektit të Rimëkëmbjes Ekonomike dhe Qendrueshmërisë, financohet nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe Qeveria e Holandës dhe zbatohet nga UNDP.

Nëse jeni të interesuar të bëheni partner ose të bashkëpunoni me Programin e Rimëkëmbjes Ekonomike dhe Qendrueshmërisë nga UNDP, lutemi të na kontaktoni në:

https://undp4business.al/behu-partner/

Start typing and press Enter to search