UNDP certifikon 11 konsulentë vendas pas përfundimit me sukses të trajnimit mbi Metodologjinë e Zhvillimit të Furnitorëve

Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP), në kuadër të Projektit për Rimëkëmbjen Ekonomike dhe Qendrueshmërinë (Economic Recovery and Resilience), certifikoi 11 konsulentë biznesi, pas një trajnimi 6 – mujor mbi Metodologjinë e Zhvillimit të Furnitorëve (Supplier’s Development Methodology – SDM).

Eventi i ndarjes së certifikatave. Foto: UNDP Albania
Eventi i ndarjes së certifikatave. Foto: UNDP Albania

Kjo metodologji ndërkombëtare biznesi, e sjellë në Shqipëri nga UNDP në vijim të mbështetjes për rimëkëmbjen e vendit pas tërmetit të 26 Nëntorit 2019 si edhe krizës së shkaktuar nga Covid-19, synon të rivitalizojë ekonominë shqiptare duke rritur konkurrueshmërinë e bizneseve të vogla e të mesme dhe forcuar qendrueshmërinë e tyre ndaj rreziqeve dhe fatkeqësive natyrore.

Metodologjia e Zhvillimit të Furnitorëve është një qasje ndërkombëtare e konsoliduar, e cila është zbatuar me sukses nga UNDP në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, në më shumë se 12 shtete, përgjatë 15 viteve të fundit. Në thelb, programi synon të forcojë zinxhirët ekzistues të vlerave në sektorë strategjik, duke zhvilluar kapacitetet e furnitorëve vendas, dhe me synim final nxitjen e potencialeve për eksport dhe rritjen e punësimit.

Trajnimi për SDM-në nisi në qershor të vitit 2021, ku u regjistruan 18 konsulentë vendas, 11 prej të cilëve arritën ta përfundonin me sukses trajnimin, duke u certifikuar në këtë metodologji. Konsulentët u trajnuan nga një ekip ndërkombëtar ekspertësh me një përvojë 20 vjeçare në këtë fushë. Procesi i trajnimit përfshiu 90 orë trajnimi në klasë, 180 orë trajnimi online si edhe aplikim praktik të metodologjisë në kompani në Shqipëri.

Certifikimi mbi metodologjinë është i rëndësishëm sepse, jo vetëm që nënkupton përfundimin me sukses të kursit të trajnimit, por shërben edhe si një kriter për zbatimin e metodologjisë në praktikë, në Shqipëri dhe më gjerë.

Pas përfundimit të fazës së trajnimit të konsulentëve, programi synon të nisë zbatimin në praktikë përmes përzgjedhjes së sektorëve të ekonomisë si dhe zinxhirëve specifik të vlerës ku do të ndërhyjë nëpërmjet instrumenteve të metodologjisë. Kompanitë kryesore dhe furnitorët e tyre, të cilët do të jenë pjesë e programit, do të nisin një rrugëtim 10-12 mujor, gjatë të cilit, me mbështetjen e konsulentëve të trajnuar, do të fokusohen në rritjen e kapaciteteve, përmirësimin e standardeve të produkteve dhe shërbimeve të tyre, si dhe zgjerimin e aksesit në tregjet kombëtare dhe ndërkombëtare.

Metodologjia zbatohet në praktikë në gjashtë faza. Faza e parë fokusohet në përzgjedhjen e kompanisë lider të zinxhirit si edhe furnitorëve strategjik të saj, të cilët do të mbështeten përmes programit. Në fazën e dytë, kryhet një diagnostikim tërësor i secilës sipërmarrje si edhe hartohet një sistem për vlerësimin dhe monitorimin e performancës së furnitorëve. Gjatë fazës së tretë promovohen praktika efektive komunikimi midis palëve me qëllim përcaktimin e një plani të përbashkët veprimi. Në fazën e katërt dhe të pestë hartohen e më pas zbatohen plane të detajuara përmirësimi për të adresuar problemet e identifikuara. Ndërsa faza e gjashtë, e cila përmbyll ndërhyrjen, përqendrohet në hartimin e një strategjie për replikimin e programit edhe me furnitorët e tjerë të kompanisë lider.

Programi i Zhvillimit të Furnitorëve, pjesë e Projektit për Rimëkëmbjen Ekonomike dhe Qendrueshmërinë, financohet nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe Qeveria e Holandës dhe zbatohet nga UNDP.

Për më shumë informacion në lidhje me Projektin për Rimëkëmbjen Ekonomike dhe Qendrueshmërinë si edhe Programin për Zhvillimin e Furnitorëve, klikoni këtu.

Start typing and press Enter to search