Pyetjet më të shpeshta rreth Programit të Zhvillimit të Furnitorëve

Çfarë është Programi i Zhvillimit të Furnitorëve (SDP)?

Programi i Zhvillimit të Furnitorëve (SDP – Supplier’s Development Programme) është një metodë me një qasje biznesi dhe sociale, e cila fokusohet në zinxhirë specifik vlere në sektorë të ndryshëm të ekonomisë dhe synon të optimizojë marrëdhëniet e biznesit midis kompanisë lider të zinxhirit (një sipërmarrje e madhe ose e mesme) dhe furnitorëve të saj (sipërmarrje mikro, të vogla ose të mesme).

Çfarë synon Programi i Zhvillimit të Furnitorëve?

SDP synon të stimulojë ekonominë shqiptare nëpërmjet mbështetjes së zinxhirëve të vlerës në sektorë strategjik të ekonomisë, duke zhvilluar kapacitetet e furnitorëve vendas, dhe me synim final nxitjen e potencialeve për eksport dhe rritjen e punësimit.

Programi zbatohet përmes një metodologjie biznesi (SDM – Supplier’s Development Methodology) e cila promovon menaxhim, operacione dhe praktika komunikimi më efektive midis sipërmarrjeve pjesë e një zinxhiri vlere, me qëllim rritjen e produktivitetit, përmirësimin e standardeve të produkteve dhe shërbimeve të tyre si edhe zgjerimin e aksesit në tregjet kombëtare dhe ndërkombëtare.

A funksionon vërtetë kjo metodologji?

SDM është zbatuar me sukses në mbi 900 zinxhirë vlere, në 12 shtete të ndryshme përgjatë një periudhe 15 vjeçare, duke dëshmuar se funksionon më së miri në sektorë industrialë të thjeshtë apo të avancuar. Marka ndërkombëtare të mirënjohura si Nestlé, Nike, Zara, Bombardier, por edhe kompani të vogla dhe të mesme në sektorët e ushqimit, veshjeve, këpucëve, turizmit, automobilave dhe bujqësisë kanë punuar me sukses për të përmirësuar performancën në zinxhirët e tyre të vlerës përmes SDM.

Si zbatohet Metodologjia e Zhvillimit të Furnitorëve (SDM)?

SDM zbatohet në praktikë përmes asistencës teknike dhe këshillimit nga konsulentë biznesi të trajnuar dhe certifikuar mbi metodologjinë.

Sa kohë zgjat ndërhyrja?

Ndërhyrja zgjat 10-12 muaj.

Çfarë ndodh me sipërmarrjet e përfshira gjatë përiudhës së zbatimit?

Përmes mbështetjes së konsulentëve të certifikuar, kompanitë e përzgjedhura për të qenë pjesë programit, nisin një rrugëtim thuajse 1-vjecar i cili zbatohet në 6 faza:

  1. Promovimi dhe Formalizimi: Përzgjidhet zinxhiri i furnitorëve të cilët do të marrin pjesë në program dhe nënshkruhen marrëveshjet e bashkëpunimit (kohëzgjatja: 4 javë).
  2. Diagnostikimi: Kryhet një diagnostikim tërësor i secilës sipërmarrje si edhe hartohet një sistem për vlerësimin dhe monitorimin e performancës së furnitorëve (kohëzgjatja: 8 javë).
  3. Ndërveprimi Klient-Furnitor: Promovohen praktika efektive komunikimi midis kompanisë lider të zinxhirit dhe furnitorëve me qëllim përcaktimin e një plani të përbashkët veprimi (kohëzgjatja: 4 javë).
  4. Planet e Përmirësimit: Hartohen plane të detajuara përmirësimi për të adresuar problemet e identifikuara (kohëzgjatja: 4 javë)
  5. Zbatimi: Zbatohen planet e përmirësimit në secilën nga sipërmarrjet e përfshira (kohëzgjatja: 12 javë)
  6. Dokumentimi dhe replikimi: Përcaktohet një strategji për replikimin e ndërhyrjes edhe me furnitorët e tjerë të kompanisë lider (kohëzgjatja: 4 javë)

Çfarë përfiton kompania lider nga ky program?:

  • Reduktim i kostove në zinxhirin e vlerës;
  • Shmangia e pengesave në linat e prodhimit;
  • Reduktim i riskut për produkte/shërbime jo-cilësore;
  • Promovim i praktikave efektive të komunikimit me furnitorët.

Çfarë përfitojnë kompanitë furnitore nga ky program?

  • Përmirësim i praktikave të menaxhimit;
  • Çmime më konkurruese (rritje e produktivitetit dhe reduktim i kostove);
  • Përmirësim i afateve të dorëzimit të produkteve;
  • Përmirësim i shërbimit ndaj klientit.

Kush janë konsulentët e trajnuar për zbatimin e metodologjisë?

Konsulentët e trajnuar mbi metodologjinë janë profesionistë me eksperiencë shumëvjecare në fushën e këshillimit të sipërmarrjeve të mesme dhe të vogla.

Ku konsistoi trajnimi i konsulentëve mbi metodologjinë?

Trajnimi mbi metodologjinë nisi në qershor të vitit 2021, ku u regjistruan 18 konsulentë biznesi, 11 prej të cilëve arritën ta përfundonin me sukses trajnimin, duke u certifikuar në këtë metodologji.

Procesi i trajnimit përfshiu 90 orë trajnimi në klasë, 180 orë trajnimi online si edhe aplikim praktik të metodologjisë në kompani në Shqipëri. 

Konsulentët u trajnuan nga një ekip ndërkombëtar ekspertësh me një përvojë 20 vjeçare në këtë fushë.

Për çfarë shërben certifikata e marrë pas trajnimit mbi metodologjinë?

Certifikimi mbi metodologjinë është i rëndësishëm sepse, jo vetëm që nënkupton përfundimin me sukses të kursit të trajnimit, por shërben edhe si një kriter për zbatimin e metodologjisë në praktikë, në Shqipëri dhe më gjerë. 

Si do të nisë zbatimi i Programit të Zhvillimit të Furnitorëve në Shqipëri?

Pas përfundimit të fazës së trajnimit të konsulentëve, programi do të nisë zbatimin në praktikë përmes përzgjedhjes së sektorëve të ekonomisë si dhe zinxhirëve specifik të vlerës ku do të ndërhyjë nëpërmjet instrumenteve të metodologjisë.

Kush e financon këtë program?

SDP është pjesë e Programit për Rimëkëmbje Ekonomike dhe Qëndrueshmëri (Economic Recovery and Resilience Programme) i cili financohet nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe Qeveria e Holandës dhe zbatohet nga UNDP.

Për më shumë informacion në lidhje me Projektin për Rimëkëmbjen Ekonomike dhe Qendrueshmërinë si edhe Programin për Zhvillimin e Furnitorëve, klikoni këtu.

Start typing and press Enter to search