Rrugëtimi i Pasta Livia-s drejt suksesit



NORA KUSHTI
Specialiste Komunikimi, UNDP Albania


A jeni gjendur ndonjëherë në një situatë ku ju është dashur të përballeni me sfida të shumta, e në mënyrë të vazhdueshme keni kërkuar për një rrugëdalje?

A i keni kushtuar ndonjëherë gjithë kohën dhe energjinë tuaj një biznesi dhe më pas jeni përballur me shumë pengesa dhe sfida gjatë rrugës?

A ju ka mbështetur ndonjëherë dikush pikërisht në momentin kur kishit më shumë nevojë?

Për ata që kanë përjetuar sfida të tilla, historia e Durim Shahinasit, sipërmarrësit krenar të Pasta Livia-s, mund të shërbejë si shembull frymëzimi dhe shprese.


Me mbështetjen e UNDP-së, para një viti, biznesi i Durimit nisi një rrugëtim të jashtëzakonshëm, në përpjekje për të tejkaluar vështirësitë dhe arritur suksesin.

Ky rrugëtim frymëzues vjen si dëshmi e fuqisë transformuese që ka një konsulencë teknike e personalizuar. Me asistencën, mentorimin e duhur dhe vendosmëri, ëndrrat bëhen realitet.

**

Programi i UNDP për Rimëkëmbje Ekonomike dhe Qëndrueshmëri, i financuar nga qeveritë e Mbretërisë së Bashkuar dhe Holandës, synon të stimulojë ekonominë përmes rritjes së konkurrueshmërisë dhe rivitalizimit të sipërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme.

Programi zbatohet përmes dy metodologjive ndërkombëtare të suksesshme në rimëkëmbjen e bizneseve: “In Motion” dhe “Programi për Zhvillimin e Furnitorëve”.

Programi për Zhvillimin e Furnitorëve u “eksportua” në Shqipëri përmes mbështetjes dhe ekspertizës së Zyrës Rajonale të UNDP për Amerikën Latine dhe Karaibet. Kjo metodologji e zbatuar me sukses në shumë shtete të botës, u përshtat për kontekstin vendas, duke sjellë kështu me sukses ekspertizën dhe përvojën e programit nga brigjet e largëta tek sipërmarrësit dhe bizneset shqiptare.

**

Metodologjia për Zhvillimin e Furnitorëve: Fuqizimi i Zinxhirëve të Vlerës

Programi zbatohet përmes Metodologjisë për Zhvillimin e Furnitorëve, e cila ka si objektiv të kontribuojë në forcimin e zinxhirëve lokalë të vlerës, promovimin e eksporteve dhe reduktimin e importeve përmes zhvillimit të furnitorëve vendas. Ky program gjithëpërfshirës i ofron një grupi biznesesh, pjesë e të njëjtit zinxhir vlere, asistencë teknike të personalizuar dhe trajnime përmes disa konsulentësh biznesi të trajnuar dhe të certifikuar nga UNDP. Zinxhiri i vlerës përfshin “kompaninë kliente” ose “blerësin” dhe furnitorët e tij strategjikë. Programi zbatohet në gjashtë faza, duke përfshirë, promovimin e formalizimin, diagnozën, ndërveprimin klient-furnitor, hartimin dhe zbatimin e planeve të përmirësimit, si edhe dokumentimin e replikimin.


Rrugëtimi i Pasta Livia-s

E themeluar në vitin 2014 nga sipërmarrësi Durim Shahinas, Pasta Livia tashmë ka një vend të rëndësishëm në sektorin e gastronomisë në vend. E njohur për pastat e freskëta, të punuara me dorë, kompania ka fituar tashmë një reputacion për produkte me cilësi dhe shije fantastike që ajo ofron. Pasioni i Durimit për ekselencë shkon përtej pastave të tij unike. Ai gjithashtu importon dhe eksporton një gamë të gjerë të produkteve dhe nënprodukteve të miellit. Me një angazhim të vazhdueshëm për të përmbushur deri në detaj nevojat e klientëve dhe duke ofruar pastat e freskëta më të mira në treg, Pasta Livia ka arritur të jetë një furnitor i besuar për shumë biznese lokale.

E megjithatë, ky rrugëtim nuk ka qenë pa sfida. Një vit më parë, Pasta Livia, bashkë me pesë furnitorë të tjerë të kompleksit turistik Starmar u bënë pjesë e këtij programi të UNDP. Kompleksi turistik Starmar përfshin një hotel, një restorant, një bar dhe një bar plazhi në zonën bregdetare të Hamallaj.

“Më duhet të pranoj se fillimisht kisha rezerva të mëdha në lidhje me përfshirjen në program. Megjithatë, nuk kaloi shumë kohë deri sa kuptuam që kishim potencial për ta rritur dhe zhvilluar biznesin tonë me ndihmë e këtij programi. Së bashku me stafin tim, u angazhuam me shumë dëshirë në këtë program që na mundësoi konsulencë dhe trajnime të vazhdueshme përgjatë gjithë vitit. Në fazat e para, programi na ofroi një diagnostikim 360-gradë të biznesit tonë dhe kjo na ndihmoi të identifikonim pikat tona të dobëta në lidhje me drejtimin dhe menaxhimin, menaxhimin financiar, marketingun, shërbimin ndaj klientit, menaxhimin e rrjeteve sociale, praktikat e qëndrueshme në biznes, zbatimin e sistemit të sigurisë ushqimore HACCP dhe protokollet e tjera ndërkombëtare të cilësisë. Mbështetja që na u ofrua përmes konsulencës solli më të vertetë tranformim në biznesin tonë dhe na vendosi në rrugën e duhur drejt suksesit.”


Përpara përfshirjes në program, Pasta Livia përballej me sfida të shumta dhe funksiononte pa kontrata apo praktika të strukturuara në marrëdhëniet e saj të biznesit. Por, faza e diagnozës së programit i mundësoi kompanisë të identifikonte dhe adresonte edhe këto çështje të rëndësishme. Përmes zbatimit në praktikë të njohurive të fituara, Durimi u përqendrua në përmirësimin dhe zgjerimin e biznesit, duke arritur të rrisë nivelin e shitjeve dhe të ardhurat.

Sot Durimi flet me krenari kur të tregon për fletët teknike të detajuara për secilin produkt të tij, kontratat që ka hartuar dhe po nënshkruan me klientët, si edhe imazhin e përmirësuar të biznesit në rrjetet sociale. Duke përdorur modulet dhe praktikat e përvetësuara gjatë programit, ai sot ofron sesione praktike ndaj stafit të Starmar dhe klientëve të tjerë mbi teknikat e gatimit të makaronave të tij. Programi ka pasur një ndikim vërtetë transformues në biznesin e tij, prandaj Durimi e cilëson si një program “Michelin Star”.

Përmes konsulencës së programit, Pasta Livia ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm, dhe tashmë është një biznes më konkurrues, me praktika më të mira menaxhimi e kontrolli të cilësisë, produktivitet më të lartë dhe procedura më efikase të kujdesit ndaj klientit. Si rrjedhojë, kompania ka arritur të forcojë pozicionin e saj në treg. Konkretisht, niveli i shitjeve deri më tani është rritur me 30%, duke e shtyrë Pasta Livia-n të mendojë për një rritje të konsiderueshme të numrit të punonjësve. Megjithatë, kompania shpreson që shitjet të rriten akoma më shumë gjatë sezonit veror.

Pavarësisht nëse bëhet fjalë për një restorant të rehatshëm, apo një restorant plot lëvizje, apo një dyqan me produkte ushqimore të veçanta, rrjeti i shpërndarjes së Pasta Livia siguron që produktet e tyre të arrijnë në kushtet e duhura në çdo cep të vendit, duke kënaqur si kuzhinierët e restoranteve më të mira ashtu edhe entuziastët e makaronave të freskëta.

Durimi flet jo vetëm për rritjen e biznesit të tij falë asistencës së UNDP-së, por ai po luan një rol edhe në edukimin e bizneseve të tjera që blejnë produktet e tij. Ai vazhdimisht ndan me klientët e tij njohuritë e reja që ka fituar mbi praktikat më të mira të menaxhimit, rëndësinë e kontratave dhe atë të zbatimit të praktikave të qëndrueshme, duke kontribuar kështu në zhvillimin e gjithë industrisë.

Angazhimi i UNDP-së për të mbështetur sipërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme dhe për të kontribuar në zhvillimin në mënyrë të qëndrueshme të zinxhirëve lokalë të vlerës, po rezulton efikas dhe po bën ëndrrat realitet.

A mos vallë po ju shkon goja lëng për pastat e freskëta të Pasta Livia? Tashmë e dini se ku t’i porosisni: në rrjetet e tyre sociale.

https://www.instagram.com/pasta_livia/
https://www.facebook.com/profile.php?id=100037206950079

Start typing and press Enter to search