Projekti i UNDP-së sjell ndryshim tek bizneset e vogla në Hamallaj

Shpresim Thaçi, sipërmarrës i “Thaçi Gardening”. Foto: UNDP Albania


NORA KUSHTI
Specialiste Komunikimi, UNDP Albania


U nisa drejt fshatit të bukur bregdetar të Hamallajt për të takuar Shpresimin dhe për të dëgjuar historinë e tij nga vetë ai. Mezi prisja të mësoja se si si një projekt pilot i UNDP-së e kishte ndihmuar atë të transformonte biznesin e tij.

Shpresimi sigurisht më mirëpriti dhe dukej entuziast të ndante me mua rrugëtimin e tij frymëzues.

Vetëm 24 vjeç, Shpresimi është një sipërmarrës ambicioz që prej kohësh ëndërronte të çonte përpara biznesin e kopshtarisë së familjes së tij, të quajtur “Thaçi Gardening”. Pavarësisht skepticizmit të vazhdueshëm të të atit, ai ishte i i vendosur në përpjekjet e tij për të arritur suksesin. Por, në atë kohë Shpresimi kishte vetëm një numër të vogël klientësh dhe përballej me vështirësi të medha për të zgjeruar biznesin dhe rritur numrin e klientëve.

Gjithçka ndryshoi kur Thaçi Gardening u bë pjesë e një projekti të UNDP-së që punon për të forcuar zinxhirët e vlerës.

Financuar nga Qeveritë e Mbretërisë së Bashkuar dhe Holandës, Programi për Rimëkëmbje Ekonomike dhe Qëndrueshmëri në Shqipëri (Economic Recovery and Resilience — ERR) zbatohet nga UNDP dhe synon të stimulojë ekonominë duke rritur konkurrueshmërinë e sipërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM). Projekti mbështetet në dy metodologji të testuara më parë: Programi për Zhvillimin e Furnitorëve (Supplier’s Development Programme — SDP) dhe In Motion, të “eksportuara” në UNDP Shqipëri nga Zyra Rajonale e UNDP-së për Amerikën Latine dhe Karaibet.

Programi për Zhvillimin e Furnitorëve synon të kontribuojë në forcimin e zinxhirëve lokalë të vlerës dhe rritjen e eksporteve duke zhvilluar furnitorët vendas. Programi ofron asistencë teknike për një “zinxhir vlere” të caktuar, i cili përfshin “kompaninë kliente” ose “blerësin” dhe rrjetin e furnitorëve të tij strategjikë, dhe zbatohet në praktikë në gjashtë faza nga konsulentë të trajnuar biznesi. Fazat e zbatimit të programit përfshijnë promovimin, diagnostikimin, ndërveprimin klient-furnitor, hartimin dhe zbatimin e planeve të përmirësimit, si edhe dokumentimin dhe replikueshmërinë.


Thaçi Gardening është një nga gjashtë furnitorët e kompanisë kliente të quajtur “STARMAR”, e cila përfshin një hotel, një bar, një bar plazhi dhe një restorant. Përmes Metodologjisë SDP, Programi i UNDP-së u ofroi sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme, anëtare të zinxhirit të vlerës së STARMAR, si Thaçi Gardening, asistencë të personalizuar si edhe një seri trajnimesh në fusha si drejtim e menaxhim, menaxhimin financiar, marketing dhe kujdesi ndaj klientit, menaxhimin e rrjeteve sociale, praktikat e qëndrueshme për bizneset dhe protokollet e cilësisë (5S, Praktikat e Mira të Prodhimit GMP, Praktikat e Mira Bujqësore GAP si dhe Sistemi HACCP për sigurinë ushqimore) përgjatë një viti.

Përfshirja e Shpresimit në program ka pasur një ndikim të rëndësishëm në biznesin e tij.

“Para se të bëhesha pjesë e projektit të UNDP-së, nuk kisha asnjë vizion për biznesin tim”, tha ai. “Por pas marrjes së asistencës së personalizuar dhe trajnimeve për një vit të tërë, kuptova rëndësinë e të paturit të një biznesi të formalizuar dhe rëndësinë e funksionimit bazuar në kontrata e rregulla të mirëpërcaktuara. Kuptova se të operosh bazuar në një kontratë ka avantazhe si për pronarin e biznesit ashtu edhe për klientin. Po ashtu, mësova si të menaxhoj më mirë anën financiare të biznesit tim dhe ta rris atë në mënyrë qëndrueshme. Gjithashtu biznesi im tashmë ka një website dhe rrjete sociale, gjë që më ka ndihmuar të tërheq më shumë klientë. Më parë kisha shumë pak klientë, tani kam rreth dyzetë. Me shumë prej tyre tani kam firmosur kontrata. Pa mbështetjen e programit, asgjë nga këto nuk do të kishte ndodhur”.

Shpresimi gjatë procesit të punës. Foto: UNDP Albania

Ky program i UNDP-së jo vetëm ndihmon në përmirësimin e produktivitetit të zinxhirëve të vlerës, por gjithashtu forcon kapacitetet e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme për të adoptuar praktika më të mira biznesi.

“Duke forcuar zinxhirët e vlerës në sektorë strategjikë të ekonomisë, programi ndihmon në rritjen e konkurrueshmërisë së sipërmarrjeve të vogla e të mesme dhe kontribuon në punësim cilësor, rritjen e kapaciteteve për eksport dhe një sektor privat më rezistent,” thotë Jona Dundo, Koordinatore e Projektit.

Një vit më pas

Përmes pilotimit të SDP-së, UNDP ka mbështetur në total 7 biznese në përmirësimin e marrëdhënieve të biznesit në zinxhirin e vlerës përmes një sërë masash. Disa nga këto masa përfshijnë hartimin e një Sistemi për Vlerësimin dhe Certifikimin e Furnitorëve që mat dhe vlerëson në mënyrë periodike performancën e tyre, nënshkrimin e kontratave për të formalizuar marrëdhëniet e biznesit, krijimin e fletëve të të dhënave teknike të produkteve, përmirësimin e kohës së dorëzimit të produkteve/shërbimeve, kushtet e pagesës dhe cilësinë e tyre, si dhe forcimin e kapaciteteve të furnitorëve për të ofruar ndihmë teknike ndaj klientëve të tyre.

Gjithashtu, është ofruar mbështetje përmes ekspertizës teknike për të përmbushur standardet ndërkombëtare të cilësisë dhe protokollet e sigurisë ushqimore, duke përfshirë përputhshmërinë me sistemin e sigurisë ushqimore HACCP, si edhe Praktikat e Mirë të Prodhimit (GMP) dhe Praktikat e Mirë Bujqësore (GAP).

Përmes asistencës teknike të përsonalizuar dhe trajnimeve është ofruar gjithashtu rritje e kapaciteteve në fusha të tilla si drejtimi e menaxhimi, menaxhimi financiar, metodologjia 5S dhe menaxhimi i rrjeteve sociale. Mbështetja është fokusuar edhe në rritjen e qasjes ndaj tregut, modernizimin e imazhin tregtar të bizneseve si edhe forcimin e administrimit të brendshëm dhe burimeve njerëzore.

Të shtatë bizneset kanë raportuar rritje të nivelit të shitjeve, forcim kapacitetesh për të menaxhuar operacionet e tyre dhe përmirësim të marrëdhënieve me klientët. Ata kanë vendosur një standard të ri që do të shërbejë si parim udhërrëfyes gjatë viteve në vijim. Për më tepër, bizneset ndihen krenarë për faktin se po kontribuojnë në ekonominë e tyre lokale duke përdorur produkte vendase për të krijuar produktet dhe shërbimet e tyre. Në këtë mënyrë, ata jo vetëm që po po ndihmojnë familjet e tyre, por gjithashtu po mbështesin rritjen dhe zhvillimin e komuniteteve të tyre.

Shpresimi gjatë procesit të punës. Foto: UNDP Albania

Gjatë vizitës time të ardhshme në Hamallaj, dua të takoj babain e Shpresimit për të dëgjuar perspektivën e tij mbi suksesin e biznesit të të birit. Duke qenë prind vetë, mund ta kuptoj skepticizmin që mund të lindë kur vlerësojmë fëmijët tanë. Megjithatë, kam kuptuar se është shume e rëndësishme t’i besosh, motivosh dhe inkurajosh ata. Me mbështetjen dhe qasjen e duhur, ata mund t’ia dalin të jenë të suksesshëm dhe të realizojnë ëndrrat e tyre. Shpresimi është shembulli më i mirë për këtë.

Ke nevojë për një kopshtar? Zgjidh Thaçi Gardening! Mund ta gjeni në hapësirën e tij online si më poshtë:

Start typing and press Enter to search