Nga fillime modeste drejt suksesit: Rrugëtimi i Nestit për të kultivuar verërat më të mira, duke mbrojtur njëkohësisht mjedisin



NORA KUSHTI
Specialiste Komunikimi, UNDP Albania


Në Perlatin piktoresk, një fshat në bashkinë e Durrësit ku bëhen bashkë kodrat dhe peizazhet e gjelbërta, gjendet një perlë e fshehur. Në mes të këtij peizazhi idilik shtrihet një vresht i mrekullueshëm, gjethet e të cilit lëkunden në harmoni të përsosur me flladin e pranverës.

Pamje nga Kantina Bello. Foto: UNDP Albania

Hyrja përmes portës së hekurt, të gdhendur në mënyrë elegante, të çon në kantinën e mirënjohur të Nestit tashmë — Kantina Bello. Ky vend magjepsës qendron krenar si dëshmi e palëkundur e pasionit të një njeriu për artin e prodhimit të verës.

Megjithatë, rruga e Nestit drejt suksesit ka kaluar nëpër sprova të shumta. Në fillimet e veta iu desh të notonte në ujëra të vështira, në perpjekje të vazhdueshme për të lënë gjurmën e tij në një sektor të ashpër dhe me konkurencë të fortë.

Por duke kaluar përmes sfidave, fati u ndërthur me mundësitë. Programi i i UNDP-së për Rimëkëmbje Ekonomike dhe Qëndrueshmëri i erdhi në ndihmë.

Nesti Bello, sipërmarrësi i Kantinës Bello. Foto: UNDP Albania

Rrugëtimi i Kantinës Bello

Programi, i mbështetur nga qeveritë e Mbretërisë së Bashkuar dhe Holandës, synon të rimëkëmbë sipërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme dhe të rrisë konkurrueshmërinë e tyre. Programi zbatohet përmes dy metodologjive: Metodologjia e Zhvillimit të Furnitorëve dhe In Motion. Të dy metodologjitë janë zbatuar me sukses ndër vite nga UNDP në vendet e Amerikës Latine dhe Karaibeve.

Metodologjia e Zhvillimit të Furnitorëve punon për të forcuar zinxhirët vendas të vlerës, për të nxitur eksportet dhe për të reduktuar importet duke mbështetur prodhuesit vendas.

Nëpërmjet kësaj metodologjie gjithëpërfshirëse, konsulentë biznesi të trajnuar e të certifikuar nga UNDP ofrojnë asistencë teknike ndaj një “zinxhiri vlere” të përzgjedhur, që përfshin kompaninë kliente — zakonisht një sipërmarrje e mesme ose e madhe, dhe furnitorët e saj strategjikë — përgjithësisht biznese mikro ose të vogla.

Kantina Bello, si një furnitor i rëndësishëm i zinxhirit të vlerës të udhëhequr nga STARMAR — një kompleks turistik në Gjirin e Lalzit — u bë përfitues i kësaj mbështetjeje transformuese, së bashku me 5 furnitorë të tjerë lokalë të Starmar.

Konsulentët e biznesit, të trajnuar e të certifikuar nga UNDP, ofruan asistencë teknike ndaj një “zinxhiri vlere” të përzgjedhur, që përfshin kompaninë kliente — zakonisht një sipërmarrje e mesme ose e madhe, dhe furnitorët e saj strategjikë — përgjithësisht biznese mikro ose të vogla. Foto: UNDP Albania

Programi në të cilin mori pjesë Kantina Bello, zhvillohet në gjashtë faza: promovimi e formalizimi, diagnostikimi, ndërveprimi klient-furnitor, hartimi i planeve të përmirësimit, zbatimi, si edhe dokumentimi e replikimi.

“Programi më ofroi mundësi që nuk mendoja se do t’i kisha ndonjëherë”, thotë Nesti.

“Fillimisht isha skeptik, por kur pashë përkushtimin e konsulentëve, seriozitetin e tyre dhe dëshirën e tyre për të sjellë ndryshim të vërtetë, e kuptova se kisha gjetur çelësin për të realizuar ëndrrat e mia”.

Nën drejtimin vigjilent të konsulentëve të UNDP, Nesti përqafoi një epokë të re mundësish. Ai ndoqi me zell udhëzimet e ekspertëve, duke kuptuar rëndësinë e madhe të menaxhimit të biznesit të tij familjar me më shumë saktësi, strukturë e përpikmëri. Duke pasur shumë vite eksperiencë në punën e tij, Nesti kuptoi se suksesi i vërtetë varet nga përkushtimi i palëkundur dhe zbatimi i praktikave të duhura në biznes.

Gjatë vizitave në terren në Kantinë Bello, me përfaqësues të UNDP-së në Shqipëri, kolegët nga Zyra Rajonale e UNDP-së për Amerikën Latine dhe Karaibet dhe konsulentët e biznesit. Foto: UNDP Albania

Konsulentët e Programit të Zhvillimit të Furnitorëve (SDP) sollën ekspertizë me shumë vlerë sa i takon aspekteve të ndryshme të biznesit të tij si menaxhimi financiar dhe administrativ, marketingu, shitjet si edhe shërbimi ndaj klientit.

Për më tepër, kolegët nga Zyra Rajonale e UNDP-së për Amerikën Latine dhe Karaibet kanë luajtur një rol kyç në mbështetje të biznesit të Nestit dhe gjashtë bizneseve të tjera të zinxhirit të vlerës. Duke punuar ngushtësisht me konsulentët vendas, ata ofruan këshilla dhe udhëzime të çmuara online gjatë gjithë rrugëtimit, duke mos u mjaftuar vetëm në mbështetjen virtuale, por edhe duke i vizituar vetë bizneset në Shqipëri. Ekspertiza e tyre ka qenë thelbësore në orientimin e gjithë procesit. Duke u bazuar në përvojën e tyre shumëvjeçare në shtete të ndryshme, ata sollën praktikat më të mira në Shqipëri, duke i përshtatur ato për të qenë në linjë me kontekstin shqiptar.

Gjatë vizitave në terren në Kantinë Bello, me përfaqësues të UNDP-së në Shqipëri, kolegët nga Zyra Rajonale e UNDP-së për Amerikën Latine dhe Karaibet dhe konsulentët e biznesit. Foto: UNDP Albania

Me ndihmën e ekspertëve të tjerë të specializuar, të vënë në dispozicion nga programi, Nesti gjithashtu përvetësoi aftësi të rëndësishme sa i takon fushës së komunikimit dhe mësoi të shfrytëzojë plotësisht potencialin e rrjeteve sociale për komunikim strategjik.

Gjithashtu, nën udhëzimin e disa ekspertëve të tjerë teknik, Nesti u fokusua edhe në zbatimin me përpikmëri të protokollit të sigurisë ushqimore HACCP si edhe parimeve të Praktikave të Mira Bujqësore (GAP) si në ambjentet e prodhimit ashtu edhe në vreshtat e tij. Këto masa garantojnë përputhshmërinë më standardet e cilësisë dhe sigurisë gjatë gjithë procesit të prodhimit.

Me ndihmën e konsulentëve të programit u hartua gjithashtu edhe dokumentacioni teknik, në formën e skedave teknike të produkteve, të cilat përfshijnë të gjitha karakteristikat teknike të çdo vere të tij. Skedat teknike rezultuan shumë të vlefshme, pasi luajtën një rol të rëndësishëm në përmbushjen e dokumentacionit të nevojshëm për të filluar eksportin drejt Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar. Kjo ishte një pikë kthese e rëndësishme për biznesin e Nestit, e mbështetur gjithashtu edhe nga Programi i Zhvillimit të Furnitorëve.

I pajisur me këtë ekspertizë të re, Nesti nisi një udhëtim transformues që do të ndryshonte përgjithmonë rrjedhën e kantinës së tij.

Me ndihmën e ekspertëve të tjerë të specializuar, Nesti gjithashtu përvetësoi aftësi të rëndësishme sa i takon fushës së komunikimit dhe mësoi të shfrytëzojë plotësisht potencialin e rrjeteve sociale për komunikim strategjik. Foto: UNDP Albania

“Programi solli një ndryshim vendimtar”, pohon Nesti, me sytë plot mirënjohje. “Falë mbështetjes së çmuar nga ana e tyre, sfera jonë e shtrirjes në treg u zgjerua si brenda vendit ashtu edhe jashtë vendit. Shitjet janë rritur në mënyrë domethënëse dhe produktet tona më në fund kanë arritur në duart e dashamirësve të verës si në Shqipëri ashtu edhe jashtë saj”.

Për më tepër, projekti e ndihmoi Nestin të krijojë një katalog të produkteve të tij, i cili do ta ndihmojë të angazhohet në mënyrë efektive me klientët e tij potencialë në vijim. Pajisja me tre cisterna vere, me një kapacitet prej 12,000 litrash në total, mbështetur gjithashtu nga programi, do ta ndihmojë kantinën e tij të përmirësojë ndjeshëm kapacitetin e prodhimit dhe magazinimit. Ky investim do të shërbejë si një katalizator i rëndësishëm për rritjen dhe zhvillimin e biznesit në të ardhmen.

Projekti e ndihmoi Nestin të krijojë një katalog të produkteve të tij, i cili do ta ndihmojë të angazhohet në mënyrë efektive me klientët e tij potencialë në vijim.

Ndikimi i ndërhyrjes së UNDP-së ka prekur çdo aspekt të Kantinës Bello, duke lënë gjurmë të rëndësishme. Prezenca tashmë e zgjeruar online e kantinës, e nxitur nga fuqia e madhe e rrjeteve sociale, e ka ndihmuar të forcojë lidhjet me një audiencë që është duke u zgjeruar në mënyrë të vazhdueshme.

Klientët e kanë vënë re përkushtimin e palëkundur të Nestit për të krijuar verëra të shkëlqyera, duke zbatuar njëkohësisht edhe praktika miqësore me mjedisin. Ai i qendron fort dedikimit ndaj aplikimit të metodave të qëndrueshme, duke u dalluar kështu qartazi nga shumica e kantinave në treg. Kantina Bello prodhon verë organike, duke mënjanuar përdorimin e konservantëve, aditivëve apo elementëve kimikë.

Kantina Bello është bërë kështu një qendër krijimtarie, ku “martesa” mes ndërgjegjes për të mbrojtur natyrën dhe mjeshtërisë në bërjen e verës prodhon mrekulli në çdo shishe.

“Më parë kam punuar vetëm, duke derdhur një pjesë të zemrës dhe shpirtit tim në çdo shishe vere” thotë Nesti. “Por tani, falë kësaj mbështetjeje ëndrrat e mia janë shumëfishuar. Tashmë kam dy të punësuar — të cilët janë të talentuar e na bashkon i njëjti vizion”.

Suksesi i Kantinës Bello ka jehoje përtej pritshmërive të Nestit. Përkushtimi i tij ndaj kultivimit organik jo vetëm që tërhoqi vëmendjen e adhuruesve të verës, por zgjoi gjithashtu edhe admirimin e prodhuesve jashtë vendit që ndajnë të njëjtin mendim e praktika me të.

Por Nesti nuk u ndal me kaq. Ai rendi drejt vreshtave të lëna pas dore duke risjellë varietete të lashta rrushi të harruara prej kohësh. Çdo vresht në tokën e tij është një dëshmi e fortë e angazhimit të tij për ruajtjen e trashëgimisë dhe kultivimin e një të ardhmeje të qëndrueshme.

Përkushtimi i Nestit ndaj kultivimit organik jo vetëm që tërhoqi vëmendjen e adhuruesve të verës, por zgjoi gjithashtu edhe admirimin e prodhuesve jashtë vendit që ndajnë të njëjtin mendim e praktika me të. Foto: UNDP Albania

Ndërsa dielli perëndon

Ndërsa dielli perëndon me hijeshi mbi vreshtat e shtrirë në horizont të Kantinës Bello, Nesti ngre një dolli për fuqinë transformuese të vizionit si edhe mbështetjes së palëkundur.

“Ndihma që morëm jo vetëm që më ka ndryshuar jetën, por më ka dhënë edhe privilegjin të lë një trashëgimi të qëndrueshme”, pohon ai, me një përzierje krenarie dhe mirënjohje që dallohet qartë në fjalët e tij.

“Përmes verërave tona të prodhuara me dashuri, ne i ofrojmë botës të shijojë marrëdhënien harmonike midis punës së njeriut, natyrës dhe frutit të veçantë të rrushit”.

Në një botë që ka nevojë për frymëzim, Nesti qëndron kryelartë si një sipërmarrës vizionar që i ktheu ëndrrat e tij në realitet.

Rrugëtimi i tij ka ndryshuar një herë e mirë tablonë e biznesit të tij dhe ka prekur zemrat e atyre që gjejnë kënaqësi në shijet e verërave të tij.

Nëse dëshironi të lidheni me Nestin, vizionarin që qëndron pas verës së shkëlqyer, thjesht kontaktoni me të përmes platformave të tij në rrjetet sociale.

https://www.facebook.com/kantinabello

https://www.instagram.com/kantinabello/

Start typing and press Enter to search