STARMAR: Një Model i Turizmit të Qëndrueshëm me ndihmën e Programit të Zhvillimit të Furnitorëve

STARMAR Cocktail-Bar – UNDP Albania


NORA KUSHTI
Specialiste Komunikimi, UNDP Albania


Çuditërisht nuk e kisha vizituar asnjëherë më parë fshatin e bukur bregdetar të Hamallajt – një copëz parajse për adhuruesit e detit e zbuluar së fundmi si edhe një zonë që ofron një larmishmëri mundësish për zhvillimin e turizmit. Sektori i turizmit në Shqipëri po shënon një rritje të shpejtë dhe Hamallaj, me bukurinë e tij, mbart një potencial të jashtëzakonshëm.

Fillova ta eksploroj me shumë kureshtje këtë vend nën hijen e pishave mbresëlënëse, dhe rastësisht zbulova kompleksin Starmar, një vepër arkitekturore tepër interesante në breg të Adriatikut. Pamja ishte me të vertetë mahnitëse.

Përballë meje qëndronte një kompleks shumë tërheqës, i cili ofronte akomodim të rehatshëm, një restorant me kuzhinë të përzgjedhur dhe një bar plazhi plot gjallëri.

U emocionova edhe më shumë kur mësova se Starmar kishte bashkëpunuar me organizatën ku unë punoj – UNDP – për të mundësuar rritjen dhe zhvillimin e bizneseve të vogla të zonës, pjesë e zinxhirit të tij të vlerës.

Përmes rreshtave në vijim, ju ftoj të njiheni me rrugëtimin e Starmar, në një histori vendosmërie, përkushtimi, vullneti dhe mbështetje.

Me ndihmën e konsulentëve të Programit të Zhvillimit të Furnitorëve, Starmar zhvilloi një proces
diagnostikimi 360 gradë, me fokus të veçantë në zinxhirin e tij të vlerës, duke zbuluar një mori sfidash. – UNDP Albania

Me mbështetjen e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe asaj të Hollandës, projekti i UNDP për Rimëkëmbje Ekonomike dhe Qëndrueshmëri (Economic Recovery and Resilience) synon të kontribuojë në rivitalizimin e sipërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme në Shqipëri,

duke i bërë ato më konkurruese. Bazuar në eksperiencën e suksesshme disavjeçare të UNDP në shtetet e  Amerikës Latine dhe Karaibeve, UNDP zbaton tre metodologji në mbështetje të biznesit në Shqipëri: “In Motion”, “Programi i Zhvillimit të Furnitorëve/Supplier’s Development Programme (SDP)”  si edhe “Rritu me biznesin tënd/Growing with your Business”.

Metodologjia e Zhvillimit të Furnitorëve (Supplier’s Development Methodology) synon të forcojë zinxhirët e vlerës në vend, të promovojë eksportet dhe reduktojë importet, duke mbështetur furnitorët vendas. Përmes kësaj metodologjie, konsulentë biznesi të trajnuar dhe çertifikuar nga UNDP mbështesin me asistencë teknike zinxhirë vlere të caktuar. Sipas përkufizimit të metodologjisë, një zinxhir vlere përbëhet nga kompania kliente ose blerësi (zakonisht një sipërmarrje e mesme ose e madhe) si edhe rrjeti i furnitorëve të saj lokal (zakonisht sipërmarrje mikro, të vogla ose të mesme). Starmar – kompania kliente e zixhirit të përzgjedhur në sektorin e turizmit – ishte në fokus të pilotimit për herë të parë në Shqipëri të kësaj metodologjie.

Me kureshtjen për të dëgjuar më shumë për tranformimin e sipërmarrjeve në zinxhirin e vlerës së Starmar, u ula për të diskutuar me z. Xhelil Kryeziu, menaxher me përvojë në Starmar si edhe drejtuesi i zbatimit të Programit të Zhvillimit të Furnitorëve në kompani. Xhelili filloi të  më tregonte mbi përvojën e tij me këtë program me shumë dashamirësi.

Starmar është një aktor i ri në fushën e turizmit në vend. Megjithatë, që prej themelimit, kompania është angazhuar për ofrimin e një shërbimi cilësor, duke u kujdesur njëkohësisht në mënyrë të veçantë për të kontribuar në zhvillimin e komunitetit ku ndodhet.  Qysh në fillimet e veta, Starmar është fokusuar në krijimin e urave të bashkëpunimit me furnitorë lokalë, duke u kujdesur në mënyrë të veçantë që të përzgjidhte prodhues dhe ofrues shërbimesh të zonës për t’u furnizuar me produktet dhe shërbimet që i nevojiteshin. Për më tepër, ndryshe nga shumë operatorë të tjerë turistik, Starmar kujdeset që të punësojë banorë të zonës ku operon, me një vëmëndje të veçantë për punësimin e grave dhe vajzave të zonës së Hamallajt.

Të ndërgjegjshëm për rolin kyç që furnitorët luajnë në ofrimin e shërbimeve cilësore, Starmar ishte i vendosur të përmirësonte bashkëpunimin me ta, me qëllim rritjen e aftësive dhe përmirësimin e e shërbimit të tyre. Këto objektiva qendronin në të njëjtën linjë me ato të projektit, në implementimin pilot të Metodologjisë së Zhvillimit të Furnitorëve.

Nën udhëheqjen e konsulentëve të Programit të Zhvillimit të Furnitorëve, Starmar zhvilloi një proces diagnostikimi
360 gradë me fokus të veçantë në zinxhirin e tij të vlerës, duke zbuluar një mori sfidash. – UNDP Albania

Jona Dundo, koordinatorë për Programin e Zhvillimit të Furnitorëve, theksoi se vendosmëria e Starmar për të kontribuar në zhvillimin e komunitetit, për të blerë nga furnitorë vendas dhe për të ndihmuar në përmirësimin e tyre, bëri që ata të përzgjidheshin midis disa alternativave për të pilotuar programin.

UNDP, duke u nisur nga zbatimi i suksesshëm në Amerikën Latine dhe Karaibe, përdori
tre metodologji: Metodologjinë e Zhvillimit të Furnitorëve dhe In Motion. – UNDP Albania

“Duke u ndërgjegjësuar për nevojën për të përmirësuar proceset tona të brendshme, filluam të punonim edhe për përmirësimin e marrëdhënieve me furnitorët tanë”, pohoi Xhelili.

Me ndihmën e konsulentëve, Starmar nisi një rrugëtim transformues drejt optimizimit të strukturës së brendshme dhe përmirësimit të proceseve të vendimmarrjes, duke stimuluar rritjen dhe zhvillimin brenda kompanisë dhe, më e rëndësishmja, duke forcuar gjithë zinxhirin e vlerës.

“Konsulentët na ndihmuan të identifikojmë pikat tona të forta e të dobëta si edhe problemet që hasnim në marrëdhënie me furnitorët,” pohoi Xhelili. Në vijim, programi mbështeti hartimin dhe zbatimin e planeve të përmirësimit për të zgjidhur problemet e identifikuara dhe me objektiv kryesor vendosjen e marrëdhënieve transparente dhe me përfitim reciprok midis Starmar dhe furnitorëve të tij.

“Natyra pak më afatgjatë e këtij programi ka qenë një bekim”,  theksoi Xhelili. Me ndihmën e ekspertëve, Starmar krijoi dhe zbatoi një Sistem për Vlerësimin dhe Çertifikimin e Furnitorëve, një komponent kyç ky i ndërhyrjes së programit. Sistemi mundëson vlerësimin dhe monitorimin e performancës së furnitorëve në kohë, duke u bazuar në sistem indikatorësh objektiv të lidhur me cilësinë e produkteve/shërbimeve, afatet e dorëzimit, çmimin, cilësinë e shërbimit si edhe asistencën teknike që ata ofrojnë.

Xhelil Kryeziu, një nga menaxherët kryesorë në STARMAR dhe drejtues i projektit brenda kompanisë. – UNDP Albania

Ky sistem mundësoi krijimin e një mjedisi që nxiti përmirësimin e furnitorëve dhe zhvillimin e tyre të vazhdueshëm, bazuar në një vlerësim teknik, transparent dhe objektiv të performancës së tyre. Si rezultat, Starmar konstatoi një përmirësim të dukshëm në performancën e tyre përgjatë programit, ku, sipas matjeve të sistemit, niveli u rrit nga 30% – 50% në fillim të programit, deri në 90% – 100% në fund të ndërhyrjes.

Përveç këtij sistemi, SDP e ndihmoi zinxhirin e vlerës së Starmar të formalizonte marrëdhëniet e biznesit përmes kontratave me furnitorët, të përmirësonte kushtet e pagesave, të menaxhonte marrëdhëniet e biznesit në mënyrë më të struktuar e transparente përmes krijimit të një manuali prokurimi si edhe të organizonte aktivitete të përbashkëta promocionale me furnitorët. Si rezultat i përmirësimit të marrëdhënieve dhe forcimit të linjave të komunikimit, një vit pas fillimit të ndërhyrjes, volumi i shitjeve të furnitorëve ndaj Starmar është rritur deri në 59% – dëshmi kjo mjaft konkrete e impaktit të programit në rritjen e furnitorëve.

Xhelili më tregoi edhe për sfidat e programit, ku u ndal veçanërisht në vështirësinë që bizneset e programit shfaqën në fillim për përqafimin e një mendësie mëndjehapur ndaj konsulencës së ofruar. Ndryshimi i kësaj mendësie ishte çelësi për suksesin e programit. Duke pranuar formalizimin përmes kontratave dhe përqafuar konceptin e një marrëdhënie klient-furnitor me përfitim për të dy palët, përmes njohurive të fituara nga UNDP, bizneset mundën të realizonin potencialin e tyre dhe të gëzonin rezultatet e programit.

Një nga konsulentët e programit – Dorian Kamberi – e vuri theksin te potenciali që Programi për Zhvillimin e Furnitorëve ka për replikim. “Ndërhyrja që u zbatua me Starmar dhe furnitorët e tij mund të shërbejë si një model për t’u replikuar me biznese të tjera”, pohoi ai duke e vënë theksin në një nga parimet kryesore të SDP – rritjen e kapaciteteve midis bizneseve përfituese për ta replikuar metodologjinë me aktorë të tjerë në zinxhirët e tyre të vlerës. Përmes përcaktimit të standardeve dhe nxitjes së një efekti domino, SDP synon të krijojë një mjedis dinamik ku bizneset dhe furnitorët vazhdojnë të rriten edhe pas përfundimit të ndërhyrjes nga UNDP.

Biseda në vijim u përqendrua në përmirësimet e mëtejshme që zinxhiri i bizneseve arriti përmes programit. Starmar, së bashku me furnitorët e tij, morën pjesë në një sërë trajnimesh dhe sesionesh asistence teknike në fusha si drejtim e menaxhim, marketing e shërbim ndaj klientit, menaxhim i rrjeteve sociale, praktikat e qendrueshme në biznes dhe ekonomia qarkulluese, si edhe ne metodologjia 5S për një mjedis pune produktiv.

Për më tepër, duke pasur parasysh se sa i rëndësishëm është për UNDP e njëkohësisht Starmar respektimi rigoroz i standardeve të sigurisë ushqimore, nën udhëheqjen e programit, stafi i kuzhinës së Starmar dhe  furnitorët e tij u trajnuan dhe çertifikuan në zbatimin e sistemit të sigurisë ushqimore HACCP (Analiza e Riskut të Pikave të Kontrollit Kritik). Ky çertifikim garanton që, si stafi i Starmar ashtu edhe furnitorët e përfshirë në program, të operojnë në përputhje të plotë më standardet e sigurisë ushqimore, duke garantuar një përvojë të sigurtë për të gjithë klientët e tyre.

Një vit pas fillimit të zbatimit të SDP, shifrat flasin vetë për rezultatet e shkëlqyera. Volumi i shitjeve në bizneset e zinxhirit, në total, është rritur me +23%. Numri i punonjësve është rritur me +16%, duke kijuar 26 vende të reja pune në bizneset e zinxhirit. Ndërsa baza e klientëve është rritur me +43%.

“Është e rëndësishme të theksoj se impakti i vërtetë i programit do të jetë edhe më i dukshëm pas sezonit të verës, ku presim rritje edhe më të lartë në nivelin e shitjeve dhe punësim” thekson Dorian Kamberi, një nga konsulentët e projektit.


Pas bisedës me Xhelilin, fillova ta vlerësoj edhe më shumë transformimin e bizneseve në zinxhirin e Starmar me mbështetjen e UNDP. Ky tranformim më bëri të mendoj për potencialin që programi ka për zhvillimin e ekonomisë së vendit nëse zbatohet në shkallë më të gjerë,  përmes mbështetjes së duhur dhe vendosmërisë për të arritur suksesin, një cilësi kjo që padyshim që nuk i mungonte Starmarit dhe Xhelilit.

E ndërsa bëhesha gati për t’u nisur, fjalët e Xhelilit më mbetën në mendje “Programi i Zhvillimit të Furnitorëve, jo vetëm që ka ndikuar thellësisht në biznesin tonë, por na transformoi edhe ne si individë. Për mua ka qenë me të vërtetë një program masteri në menaxhim biznesi”.


Kur më pyesin për rekomandime për pushime, tashmë e nuk ngurroj të sugjeroj Starmarin – një parajsë mes natyrës dhe detit, i cili ka vizionin e duhur për të ofruar shërbim të klasit të parë si edhe impakt pozitiv në zonën ku operon.

Zbuloni më tepër për Starmar përmes faqeve të tyre në rrjetet sociale:

https://www.facebook.com/profile.php?id=100064937536447

https://www.instagram.com/starmar.al/

Start typing and press Enter to search