Rivitalizimi i ekonomisë shqiptare: Fuqia transformuese e Metodologjisë së Zhvillimit të Furnitorëve të UNDP

Dini Fruta & Perime – UNDP Albania


NORA KUSHTI
Specialiste Komunikimi, UNDP Albania


Nëse ju qëllon të vizitoni fshatin e bukur Hamallaj në bregdetin e Adriatikut, me siguri do të ndesheni me një furgon frigoriferik me mbishkrimin “Dini Fruta e Perime”, i cili i përket Dinit, furnitor i frutave e perimeve të freskëta në zonë.

Pas një dekade pune të lodhshme si punëtor ndërtimi në Greqi dhe një aksidenti të rëndë automobilistik, në vitin 2009, Dini u ndodh përpara një vendimi të vështirë. Me vendosmëri në zemër, ai zgjodhi të kthehej në vendlindje, në Shqipëri dhe me mbështetjen e vëllait dhe të së shoqes, vendosi të niste një kapitull të ri në jetën e tij.

Pasi u kthyen në mëmëdhe, ia nisën punës për te krijuar një biznes të vogël, por shumë premtues. Vizioni i tyre? Të lidhnin hotelet dhe restorantet e pjesës turistike të Hamallajt me tokën bujare të asaj zone, ku frutat dhe perimet e freskëta mbartin mundin dhe kujdesin e banorëve të zones.

Në tokën e pasur të zonës, Dini dhe familja e tij nisën të kujdeseshin jo vetëm për produktet e freskëta, por edhe për të ndërtuar marrëdhënie sa më të mira me klientët e tyre. Rezultatet e punës së tyre tashmë tregojnë për një histori qëndrueshmërie, pune dhe respekti.

Në harkun e vetëm një viti, biznesi i Dinit ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm, duke e trefishuar numrin e klientëve.

Në listën e klientëve të rinj të Dinit, së fundmi është shtuar edhe rezorti ndërkombëtar Mövenpick – një dëshmi konkrete e suksesit që kjo sipërmarrje tashmë ka arritur.

Në thelb të SDP është një grup konsulentësh biznesi të trajnuar rigorozisht nga UNDP. Ata ofrojnë konsulencë biznesi të personalizuar ndaj bizneseve pjesë e një zinxhiri vlere. Sipas përkufizimit të SDP, një zinxhir vlere përfshin kompaninë kliente ose blerësin (zakonisht një sipërmarrje e mesme ose e madhe) dhe rrjetin e furnitorëve të saj lokalë (sipërmarrje të vogla ose të mesme). – UNDP Albania

Nga nisi ky transformim i jashtëzakonshëm?

Një vit më parë, Programi i Zhvillimit të Furnitorëve nga UNDP, pjesë e Projektit për Rimëkëmbje Ekonomike e Qëndrueshmëri (Economic Recovery and Resilience – ERR), nisi rrugëtimin për të mbështetur bizneset e vogla dhe të mesme në Shqipëri, të prekura nga tërmeti i vitit 2019 dhe pandemia.

Në thelb të projektit për Rimëkëmbje Ekonomike e Qëndrueshmëri janë tre metodologji biznesi: “In Motion”, “Programi i Zhvillimit të Furnitorëve” (Suppliers’ Development Programme), dhe “Rritu me Biznesin Tënd” (Growing with Your Business). Këto metodologji targetojnë profile të ndryshme biznesi dhe janë sjellë nga Shqipëri përmes bashkëpunimit me Zyrën Rajonale të UNDP për Amerikën Latine dhe Karaibet, ku janë zbatuar me sukses përgjatë 2 dekadave të fundit. “In Motion” sjell inovacion dhe përditësim të modelit të biznesit në sipërmarrjet mikro e të vogla. “Rritu me Biznesin Tënd” ndihmon prodhuesit vendas të zgjerojnë praninë në treg, ndërsa “Programi i Zhvillimit të Furnitorëve” (SDP) punon për të ndihmuar furnitorët vendas të përmirësohen, duke rritur aftësitë e tyre për të përmbushur kërkesat e tregut.

Përmes kombinimit të këtyre strategjive, UNDP në Shqipëri synon të mbështesë sektorin privat në vend përmes instrumentëve efektiv për rimëkëmbje dhe qëndrueshmëri. Për me tepër, duke shfrytëzuar ekspertizën e homologëve të UNDP në Zyrën Rajonale të Amerikës Latine e Karaibeve, projekti është tashmë edhe një dëshmi e qendrueshmërisë së bashkëpunimit ndërrajonal dhe potencialit të metodologjive të zbatuara me sukses në këto vende.

Në thelb të metodologjisë SDP është një grup konsulentësh biznesi të trajnuar rigorozisht nga UNDP. Ata ofrojnë konsulencë biznesi të personalizuar ndaj bizneseve pjesë e një zinxhiri vlere. Sipas përkufizimit të SDP, një zinxhir vlere përfshin kompaninë kliente ose blerësin (zakonisht një sipërmarrje e mesme ose e madhe) dhe rrjetin e furnitorëve të saj lokalë (sipërmarrje të vogla ose të mesme). Në Shqipëri kjo metodologji u pilotua për herë të parë në një zinxhir vlere në sektorin e turizmit. Metodologjia zbatohet në gjashtë faza: Promovimi e Formalizimi, Diagnostikimi, Ndërveprimi Klient-Furnitor, Hartimi i Planeve të Përmirësimit, Zbatimi si edhe Dokumentimi e Replikueshmëria. Kjo qasje e strukturuar ka treguar se është mjaft efektive në injektimin e një fryme bashkëpunimi e përftimi për të dy palët në marrëdhëniet e biznesit midis kompanisë kliente dhe secilit furnitor.

Gjatë trajnimeve me stafin e UNDP dhe konsulentëve të Metodologjisë së Zhvillimit të Furnitorëve – UNDP Albania

Si furnitori i frutave dhe perimeve të freskëta, Dini është një prej gjashtë furnitorëve strategjik, pjesë e zinxhirit të vlerës të kompanisë kliente të quajtur “STARMAR” – një kompleks turistik në Hamallaj i cili përfshin hotelin, restorantin si edhe barin.

Unë shkova vetë për të biseduar me Dinin.

Isha shumë kurioze të flisja me të personalisht për eksperiencën e tij me këtë projekt. E ndërkohë që fliste, sytë i shkëlqenin kur më tregonte për sfidat që kishte kaluar, ato çka kishte mësuar gjatë rrugëtimit si edhe shpresën për një të ardhme më të mirë.

Përmes fjalëve të tij, mesova për rrugëtimin e tij që nisi me skepticizëm e përfundoi në sukses.

Pasi u përfshi në program para një viti, gradualisht Dini u bë pjesë e sesioneve të shumta të trajnimit dhe punës, çdo javë, me konsulentin e biznesit nga UNDP.

Zbulimi i tij më i madh gjatë këtij rrugëtimi? Ndërgjegjësimi së nuk është thjesht një biznes i veçuar, por një pjesë e rëndësishme e një zinxhiri vlere.

“Në fillim isha shumë skeptik. Por ngadalë, fillova të kuptoja vlerën e trajnimeve dhe konsulencës, një koncept krejtësisht i ri për mua. Mendova se i dija të gjitha ato që më duheshin për të menaxhuar biznesin tim. Por mesova se si të menaxhoja financat, marketingun dhe marrëdhëniet me klientët, si të komunikoja, si të negocioja dhe madje edhe si të përdorja rrjetet sociale për të rritur biznesin. Po ashtu, mësova për protokollet e sigurisë ushqimore dhe ato të cilësisë, gjëra që nuk i kisha dëgjuar kurrë më parë.”

Projekti e mbështeti Dinin edhe me një furgon frigoriferik që garanton ruajtjen në kushte optimale për produktet e tij të freskëta. Ky investim garanton freskinë por edhe besimin e klientëve në cilësinë e produkteve të tij:

“Tani frutat dhe perimet e mia mund të qëndrojnë në kushte shumë të mira në furgonin frigoriferik për disa ditë. Më parë, isha i detyruar të shkoja për të furnizuar Starmar dhe klientët e tjerë përditë. Madje gjatë sezonit veror, shpesh herë, më duhej t’i furnizoja edhe disa herë në ditë. Një pjesë e konsiderueshme e shpenzimeve të mia shkonin për transport. Dhe, edhe pse shkoja disa herë në ditë, për shkak të nxehtësisë në verë dhe kushteve të papërshtatshme të mjetit të mëparshëm të transportit, shpesh herë qëllonte që malli më refuzohej nga klientët sepse nuk arrinte në freskinë e duhur. Falë furgonit të ri frigoriferik, me të cilin më ndihmoi UNDP, produktet e mia qëndrojnë gjithmonë të freskëta dhe në kushtet e duhura, duke na kursyer para dhe kohë. Përfitimi është për të dyja palët: biznesi ecën dhe klientët janë të garantuar për sigurinë dhe cilësinë e produkteve të mia.

Me mbështetjen e programit SDP, furgoni frigoriferik siguron freskinë dhe cilësinë e produkteve të Dinit. – UNDP Albania

Duke ju referuar rrugëtimit të tij gjatë zbatimit të projektit, ai filloi të kujtonte se si programi e kishte ndihmuar për të rritur njohuritë për menaxhimin e biznesit. Rrjetet sociale, që njëherë e një kohë ishin mister për të, tashmë janë shndërruar në një instrument të fuqishëm për zhvillimin e biznesit e tij.

Falë njohurive të reja dhe mbështetjes së programit, të ardhurat e biznesit të tij janë rritur me 66%. Kurse numri i klientëve të rëndësishëm, kryesisht restorante dhe hotele të njohura në zonën e Gjirit të Lalsit, është rritur nga katër në dhjetë, me potencialin për t’i shtuar biznesit të tij edhe disa klientë të tjerë të rëndësishëm në të ardhmen e afërt.

Me shumë krenari ai më tha se “konsulenca ishte më të vertetë shumë e vlefshme, më shndërroi në një biznesmen të vërtetë. Madje arrita të lidhem me klientë edhe përmes rrjeteve sociale. Tashmë kam një komunitet në internet që ka interes për produktet e ma.

Xhelili, një nga menaxherët kryesor të Starmar, si edhe lideri i projektit SDP brenda Starmar, thotë se ka parë një ndryshim të jashtëzakonshëm në biznesin e Dinit – një transformim të plotë. Cilësia e produkteve të tij është përmirësuar ndjeshëm, tashmë ato janë qartazi më të freskëta dhe të sigurta. Por Xhelili, e vë theksin edhe te ndryshimi i jashtëzakonshëm në mentalitetin e Dinit; tashmë Dini është shndërruar në një sipërmarrës të vërtetë, me një mentalitet biznesi të tranformuar.

Vendosa të blej fruta dhe perime nga Dini. Për bizneset apo banorët e Hamallaj që kërkojnë fruta e perime të shijshme dhe të freskëta, ua rekomandoj Dinin pa asnjë mëdyshje!

Mollë të shijshme e të freskëta nga Dini – UNDP Albania

Imagjinojeni pak: Një biznes i transformuar plotësisht përmes trajnimeve, konsulencës së personalizuar dhe mbështetjes. Si pasojë, është zhvilluar një mentalitet tërësisht i ri i cili ka krijuar potencial për zhvillim akoma edhe më thelbësor.

Metodologjia e Zhvillimit të Furnitorëve nga UNDP tregon pas çdo experience, se është një instrument i fuqishëm transformimi, duke krijuar mundësi për zhvillim dhe sukses.

Përmes fazave e proceseve të kësaj metodologjie të cilat kanë në themel mbështetjen shumëdimensionale ndaj bizneseve të vogla e të mesme, ky program ka krijuar histori suksesi të jashtëzakonshme si ajo e Dinit, duke krijuar biznese të qendrueshme e me një të ardhme gjithmonë e më premtuese. Dini Fruta & Perime shërben si një shëmbull i vërtetë i impaktit transformues që mund të arrihet përmes kësaj iniciative.

Start typing and press Enter to search