Drejt Suksesit – Bizneset Shqiptare Përqafojnë Standardet e Sigurisë Ushqimore

Linda Dervishaj, eksperte e sigurisë ushqimore në të djathtë, gjatë trajnimit HACCP të stafit të kuzhinës Starmar.

Programi për Rimëkëmbjen Ekonomike dhe Qëndrueshmërinë (ERR) është një iniciativë e zbatuar nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Shqipëri, që synon nxitjen dhe zhvillimin e sektorit privat dhe nxitjen e bashkëpunimit midis bizneseve, bashkive, partnerëve të zhvillimit e aktorëve të tjerë. Ky program, i financuar nga qeveritë e Mbretërisë së Bashkuar dhe Holandës, synon të konsolidojë zinxhirët e vlerës në sektorët strategjikë dhe të rrisë kapacitetin për rimëkëmbje dhe qëndrueshmëri midis ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme.

Pas tërmetit tragjik të vitit 2019 dhe krizës Covid-19, ERR, me synim kryesor rimëkëmbjen dhe mbështetjen e sipërmarrjeve shqiptare, filloi zbatimin e 3 metodologjive: “In Motion”, “Growing with your Business” (GYB), si dhe “Suppliers’ Development Programme” (SDP), të adaptuara nga rastet e suksesshme në Amerikën Latine. Programi për Zhvillimin e Furnitorëve (SDP), synon të përmirësojë dhe të transformojë marrëdhëniet dhe proceset e biznesit brenda një zinxhiri vlere, i cili përfshin kompaninë kliente ose blerësin (zakonisht një sipërmarrje e madhe ose e mesme) si edhe rrjetin e furnitorëve të saj strategjik (zakonisht sipërmarrje mikro, të vogla ose të mesme).

Ekspertë biznesi të trajnuar dhe të certifikuar për zbatimin e metodologjisë ofrojnë konsulencë të personalizuar dhe trajnime lidhur me konceptet kryesore të menaxhimit për çdo biznes pjesëmarrës. Metodologjia zbatohet përmes një procesi të strukturuar me gjashtë hapa: Promovimi dhe Formalizimi, Diagnoza, Ndërveprimi Midis Kompanisë Kliente dhe Furnitorëve, Hartimi i Planeve të Përmirësimit, Zbatimi i Planeve të Përmirësimit, dhe Dokumentimi dhe Replikueshmëria. Kjo është një qasje tepër efektive në realizimin e rezultateve në kërkuara.

Në Shqipëri, SDP u testua në sektorin e turizmit, me kompaninë kliente Starmar, një sipërmarrje turistike që përfshin një restorant, bar, dhe hotel të vendosur në Hamallaj të Bashkisë së Durrësit, si edhe gjashtë nga furnitorët e saj strategjikë, katër nga të cilët klasifikohen si operatorë ushqimi. Gjatë fazës së Diagnozës, një pikat kyçe ku u identifikua një nevojë për përmirësim ishte aplikimi i standardeve të sigurisë ushqimore. Standardet e kërkuara janë një element kritik në cilësinë e produktit të ofruar në treg dhe një detyrim ligjor i domosdoshëm që duhet të përmbushet në çdo fazë të prodhimit, ruajtjes dhe shpërndarjes së produktit.

Për të siguruar standardet më të larta të sigurisë ushqimore, në përputhje me ligjin dhe rregulloret në Shqipëri, SDP trajnoi dhe asistoi bizneset pjesëmarrëse, që operojnë në fushën e prodhimit apo përpunimit të ushqimit, në zbatimin e principeve të protokollit të Sistemit të Analizës së Riskut dhe Pikave të Kontrollit Kritik (HACCP). HACCP është një sistem ndërkombëtar për zvogëlimin e rrezikut të sigurisë në ushqim. Në terma të thjeshta, protokolli kërkon që operatorët e ushqimit të kenë një plan dhe të aplikojnë parimet e sistemit për të mbajtur produktet ushqimore të sigurta ndaj elementëve të dëmshëm, që rrezikojnë cilësinë.

Linda Dervishaj, një eksperte e fushës, u angazhua për të drejtuar këtë pjesë të rëndësishme të rrugëtimit. Ajo përgatiti katër manuale të personalizuara për HACCP, ofroi trajnime dhe asistencë teknike të përshtatur për katër bizneset në zinxhirin e vlerës së përzgjedhur: Starmar, Prodhime Brumi Osmani (një restorant dhe furrë lokale), Kantina Bello (një kantinë vere), dhe Pasta Livia (një prodhues makaronash të freskëta).

Momenti i përfundimit me sukses të trajnimit dhe certifikimit të dy prej drejtuesve të biznesit ushqimor.

Qëllimi Kryesor dhe Objektivat e Trajnimit

Zbatimi i HACCP synon rritjen e standardeve të sigurisë ushqimore për bizneset pjesëmarrëse në programin e SDP. Kështu, për çdo operator ushqimor u hartua manuali i personalizuar për sigurinë ushqimore HACCP dhe u ofruan trajnime e konsulencë teknike për anëtarët e stafit.

Trajnimet përfshinë një gamë temash si kushtet e higjienës, proceset e zinxhirit të furnitorëve, rëndësinë e pikave të kontrollit kritik (CCP) etj. Formati i seancave u hartua për të realizuar 3 objektiva kryesorë : i) përcjelljen e njohurive mbi praktikat e mira të higjienës, ii) sqarimin dhe ndarjen e përgjegjësive brenda grupit të punës HACCP, iii) monitorimin efikas të zbatimit të manualit HACCP.

Ky ishte një trajnim kompleks dhe natyrshëm realizimi i tij kishte shumë sfida. Një nga pengesat më të mëdha ishte ndërgjegjësimi i pjesëmarrësve lidhur me sistemin HACCP dhe faktorët që rrezikojnë sigurinë e ushqimit. Linda pohon se: “Disa pjesëmarrës kishin njohuri të kufizuara, ndërsa të tjerë mund të ishin të mirëinformuar, por mund të hasnin vështirësi në zbatimin e duhur për shkak të kompleksitetit të zinxhirit të industrisë ushqimore. Përshtatja e trajnimit me nivelin e pjesëmarrësve ishte një sfidë që mund të kërkonte taktika të ndryshme, si përdorimi i shembujve të qëndrueshmërisë në sektorin ekonomik të secilit për t’i bërë konceptet më të kuptueshme dhe të aplikueshme.”

Megjithatë, këto sfida hapën rrugën për ndryshim dhe përmirësim. Kapërcimi i tyre rezultoi në rritjen e sigurisë ushqimore duke fuqizuar kështu bizneset dhe zinxhirin e vlerës në tërësi.

Rekomandimet Specifike për Biznesin dhe Praktikat e Detyrueshme

Procesi përfshiu zbatimin e masave specifike për të përmirësuar protokollet e mirëmbajtjes së pajisjeve, trajnimin e stafit për higjienën dhe praktikat e menaxhimit të magazinimit, kontrolle të rregullta për sigurinë e cilësisë së ushqimit dhe kënaqësinë e klientëve. Trajnimet u shoqëruan me hartimin e rekomandimeve të personalizuara e të detajuara dhe ndihmë teknike në vendosjen e principeve të HACCP për çdo biznes. Këto sugjerime u fokusuan në menaxhimin e objekteve dhe nevojën për inspektime të rregullta, të personalizuara në përputhje me kërkesat e veçanta të secilës sipërmarrje.

Një shembull nga Pasta Livia i zbatimit të rekomandimeve të higjienës.

Lorena Papa, Menaxherja e Cilësisë te Pasta Livia, tregon perspektivën dhe ekperiencën e këtij biznesi: “Në Pasta Livia, gjithmonë kemi vendosur një theks të veçantë në sigurinë e ushqimit dhe praktikat e higjienës, por pas trajnimit HACCP, stafi ynë është bërë më i përkushtuar dhe tani është shumë i qartë për rolet e tyre në proces.” Ndryshimi duket qartazi në përkushtimin e stafit ndaj kujdesit të higjienës personale, pastërtisë së mjedisit, mirëmbajtjes së pajisjeve dhe prodhimit të pastave. Tani ata monitorojnë me rigorozitet çdo proces pastrimi e dezinfektimi si dhe çdo hap në zinxhirin e prodhimit, duke siguruar cilësinë dhe sigurinë e ushqimit përmes regjistrave dhe kartelave specifike. Përveç kësaj, me mbështetjen e ekspertit të HACCP nga UNDP, ata arritën të zbatonin një sistem të plotë të gjurmueshmërisë. Sistemi përfshin zgjedhjen e furnitorit, ruajtjen e materialeve, proceset e prodhimit, magazinimin e produktit, dorëzimin te klienti dhe ndihmën ndaj klientit, trajtimin dhe përgatitje për të prodhuar pasta në mënyrën më optimale.

Për më tepër, u theksua edhe rëndësia e praktikave të detyrueshme të kërkuara nga ligji, duke përfshirë procedurat si ekzaminimet e ujit, ekzaminimet e furnizimeve, trajnimi i stafit dhe një protokoll dezinfektimi (DDD).

Ndërsa Shqipëria përparon drejt anëtarësimit në BE, duhet theksuar numri në rritje i operatorëve ushqimorë vendas që eksportojnë në tregjet ndërkombëtare evropiane dhe më gjerë. Respektimi i standardeve të sigurisë ushqimore po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për sektorin privat shqiptar. Për më tepër, ndërgjegjësimi në rritje për sigurinë ushqimore tek konsumatorët nënvizon më tej rëndësinë e njohjes dhe respektimit të këtyre standardeve nga bizneset.

Jona Dundo, koordinatore e programit për SDP-në, thekson: “Gjatë zbatimit të SDP-së, u bë evidente se bizneseve mikro dhe të vogla mund t’u mungojnë kapacitetet për të kuptuar plotësisht rëndësinë e standardeve të sigurisë ushqimore dhe për t’i zbatuar ato siç duhet. Për këtë arsye, besoj se është shumë e rëndësishme të zhvillohen programe specifike dhe praktike që mund të ndihmojnë bizneset në adresimin e kësaj çështjeje, si një mënyrë për të adresuar sigurinë e konsumatorëve, por edhe për të rritur konkurrueshmërinë dhe përgatitjen e MSME-ve, teksa Shqipëria ecën drejt anëtarësimit në BE.”

Momenti i përfundimit me sukses të trajnimit dhe certifikimit të Lorena Papa, Menaxhere e Sigurimit të Cilësisë së Pasta Livia.

Me të vërtetë, të kuptuarit dhe respektimi i këtyre standardeve nuk është thjesht një kërkesë ligjore. Ato shërbejnë si ”pasaportë” për bizneset si Starmar, Prodhime Brumi Osmani, Kantina Bello dhe Pasta Livia për të qenë konkurruese në tregun shqiptar dhe për të arritur tregje më të mëdha si ai europian, duke garantuar konsumatorët për sigurinë dhe cilësinë e produkteve të tyre. Duke i pajisur këto biznese me njohuritë dhe mjetet e nevojshme për të përmbushur rregulloret shqiptare dhe të BE-së, programi i SDP-së jo vetëm që po rrit elasticitetin e bizneseve, por gjithashtu po hap rrugën për rritjen dhe suksesin e tyre në të ardhmen.

Suksesi dhe rritja e vazhdueshme: Transformimi i standardeve të sigurisë ushqimore

Pavarësisht sfidave të qenësishme në zbatimin e programeve të tilla, programi i trajnimit dhe asistencës teknike HACCP, në kuadër të zbatimit të SDP-së, është shfaqur si një fener suksesi. Ai ka hedhur një themel të fortë për bizneset pjesëmarrëse që të përmirësonin masat e tyre të sigurisë ushqimore dhe t’i përshtasnin ato me praktikat më të mira globale. Operatorët e ushqimit, tashmë janë pajisur plotësisht me njohuritë e mjetet e nevojshme për të zbatuar protokollin e sigurisë ushqimore.

Ndërsa suksesi fillestar është arritur, kërkohet përforcim i vazhdueshëm për të siguruar qëndrueshmërinë dhe saktësinë e ruajtjes së standardeve. Nevoja për angazhim të vazhdueshëm nga të gjithë aktorët e përfshirë në këtë rrugëtim nuk mund të neglizhohet.

Moments from the training with Pasta Livia’s kitchen staff.

Duke iu referuar rëndësisë së nismave të tilla Linda theksoi: “Siç e kemi parë përmes iniciativave si ajo e ndërmarrë nga UNDP, mbështetja e MSME-ve në sigurinë ushqimore është absolutisht thelbësore në Shqipëri, veçanërisht ndërsa vendi po përparon drejt anëtarësimit në BE. Këto përpjekje janë thelbësore për të garantuar ruajtjen e standardeve më të larta, duke mbrojtur njëkohësisht industrinë e ushqimit dhe shëndetin e konsumatorit”.

Me udhëzimet e UNDP-së, mbështetjen teknike nga ekspertë si Linda dhe mësimet e nxjerra nga kjo nismë, rruga përpara duket premtuese. Drejtuesit e grupeve të sigurisë ushqimore brenda operatorëve ushqimorë, të cilëve iu dhanë certifikata, shërbejnë si dëshmi e aftësive dhe njohurive që ata fituan përmes trajnimit dhe asistencës teknike të ofruar nga Programi i Zhvillimit të Furnitorëve. Rrugëtimi i  tyre nënvizon faktin se ruajtja e sigurisë ushqimore është një udhëtim i vazhdueshëm. Megjithatë, me përkushtim, udhëzim dhe një qasje të palëkundur, është një udhëtim që mund të rezultojë në arritje të rëndësishme.

Start typing and press Enter to search