Sigurimi ndaj Rrezikut të Fatkeqësive për Sipërmarrjet Mikro, të Vogla dhe të Mesme: Hulumtim mbi përceptimet dhe aksesin në skemat e sigurimeve


Sigurimi ndaj rrezikut të fatkeqësive natyrore për sipërmarrjet miko, të vogla dhe të mesme është thelbësor në kontekstin e ndryshimeve klimatike dhe fatkeqësive natyrore gjithmonë e më të shpeshta në vend.

Për këtë arsye, në periudhën tetor-dhjetor 2023, ekipi i projektit “Economic Recovery and Resilience” bashkëpunoi me “Albania Project Center” dhe një ekip studentësh nga Instituti Politeknik i Worchester në Massachusetts në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të zhvilluar një studim në këtë fushë.

Në kuadër të këtij studimi, ekipi i studentëve zhvilloi intervista të thelluara më 71 biznese mikro dhe të vogla në Tiranë, Durrës dhe Lezhë si edhe me përfaqësues të institucioneve dhe kompanive të sigurimit në vend, për të eksploruar nivelin e njohurive dhe gatishmërine e bizneseve të vogla për sigurimin ndaj fatkeqësive natyrore.

Megjithëse gjetjet e studimit duhen trajtuar si indikative, duke marrë parasysh madhësinë e kampionit dhe teknikën e kampionimit, ato sërisht mund të shërbejnë si një “matje pulsi” për të hedhur dritë mbi perceptimet e bizneseve ndaj aksesit në skemat e sigurimeve.

Ekipi i studentëve së fundmi prezantoi gjetjet e tyre duke ofruar një përmbledhje gjithëpërfshirëse të peizazhit të ndërlikuar në këtë fushë.

Studimi identifikoi një hendek domethënës në mbrojtjen ndaj fatkeqësive, duke theksuar nevojën e domosdoshme për edukim financiar dhe ndërgjegjësim në këtë aspekt për sipërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme.

Nga 71 biznese të intervistuara në total, 68% e tyre raportuan se kishin përjetuar dëme nga fatkeqësitë natyrore, por vetëm 4% prej tyre kishin zgjedhur të siguroheshin ndaj tyre duke hedhur dritë mbi hendekun e dukshëm në këtë aspekt.

Studimi nënvizoi rolin kritik të njohurive dhe ndërgjegjësimit në aksesin e skemave të sigurimit. U vu re se 40% e pronarëve të bizneseve nuk ishin në dijeni të skemave të tilla. Për më tepër, pronarët e bizneseve shpesh e lidhin sigurimin vetëm me strukturën e ndërtesave ku operonin, duke mos pasur njohuri për mbulimet specifike që ofrohen për të ardhurat e humbura apo dëmtimet në mall dhe makineri.

Përvec rolit thelbësor të mungesës së edukimit financiar dhe ndërgjegjësimit, studimi identifikoi tre faktorë të tjerë madhorë për mungesën e askesit të MSME-ve në skemat e sigurimit ndaj fatkeqësive: i) perceptimi për rrezik të ulët të fatkeqësive natyrore në të ardhmen (56% mendojnë se rreziku që u kanoset nga fatkeqësitë natyrore në të ardhmën është i ulët); ii) ekzistenca e mekanizmave alternativ për mbështetje në raste të tilla si për shembull komuniteti dhe familja si edhe iii) niveli i ulët i besimit ndaj skemave dhe kompanive të sigurimit në përgjithësi (58% e të intervistuarve shprehen se nuk kanë besim në kompanitë dhe skemat e sigurimit).

Megjithatë, duhet theksuar se bizneset e prekura nga fatkeqësitë natyrore të viteve të fundit si tërmeti apo përmbytjet, janë më të ndërgjegjësuar për rrezikun në rritje si edhe më të gatshëm për t’u përfshirë në skema të tilla.

Gjetjet e studimit sollën në pah nevojën për hartimin e strategjive dhe planeve specifike të veprimit në funksion të fuqizimit të reziliencës financiare të bizneseve, në një kohë ku ndryshimet klimatike tashmë janë realitet.

Start typing and press Enter to search