Pasioni për gatimin – Forcë për t’i mbijetuar tërmetit dhe pandemisë

Rudina, nënë e 3 fëmijëve, ka një jetë të tërë që gatuan. Kushdo që hyn në lokalin e saj, përveç ushqimit të shijshëm, aromën e të cilit e ndjen sapo hyn tek dera, merr edhe disa doza energjie pozitive, buzëqeshje dhe plot dashuri. Këto janë ato cilësi, të cilat edhe Iliri, bashkëshorti i saj, sot e kësaj dite vijon t’ja thotë me sytë që i qeshin, kujtdo që e pyet për të.

Rudina Nilo në ambjentet e saj të gatimit. Foto: UNDP Albania

Pas nje jetese 10-vjeçare në Athinë, Rudina dhe familja e saj vendosën të ktheheshin në Shqipëri. Dyqani i vogël i fruta-perimeve, të cilin e hapën pranë shtëpisë, nuk i ndihmoi të përballonin jetesën në Tiranë, pavarësisht punës së palodhur të Ilirit dhe vetë asaj. Megjithatë përpjekjet për një jetesë të mirë vazhdonin pa kursim.

“Kuzhinierja më e mirë në botë!”- këto ishin fjalët më të shpeshta të cilat fëmijët i drejtoheshin Rudinës. E pikërisht këto fjalë, nxitën Rudinën të ndërmerrte një hap të rëndësishëm në vitin 2019: hapjen e një biznesi. Ajo që nisi si një ëndërr u pasua me pjesëmarrje në shume kurse e trajnime gatimi, të cilat do ta ndihmonin dhe aftësonin edhe më shumë në nismën e re që kishte marrë.

Biznesi i Rudinës dhe Ilirit, ndodhet në zonën e Astirit, Bashkia Tiranë dhe njihej me emrin  “Gjelltore”. “Lokalin e kemi hapur në një moment jo shumë të përshtatshëm, diku rreth 2-3 muaj para tërmetit të vitit 2019.  U detyruam ta mbyllnim restorantin atë ditë pasi zona e Astirit ishte dëmtuar shumë dhe ne kishim frikë ta rihapnim. E kemi përjetuar shumë keq dhe është një moment që as nuk dua ta kujtoj”, shprehet Rudina.

Nga ana tjetër, ajo që Rudina e cilëson si momentin më të vështire në biznesin e saj, ishte pandemia Covid-19. “Pandemia ishte shkatërrimi total i biznesit. Ne nuk ofronim dot as shërbim Delivery dhe u detyruam ta mbyllnim për shkak të masave. Të dy ishim të papunë, por qiraja, tatimet dhe sigurimet paguheshin njësoj” shprehet ajo.

Në këto momente të vështira, Rudina thotë se mësoi rreth  programit In Motion, i cili ndihmon mikrobizneset që janë pjesë, me grante për pajisje biznesi, modernizim të imazhit tregtar si dhe këshillim për përmirësimin e aftësive menaxhuese.  E kjo kërkonte dhe angazhim nga ana e bizneseve vetë.

Ashtu si dhe shume biznese te tjera që janë pjesë e programit, Rudina dhe Iliri kanë ndjekur trajnimet në grup dhe takimet individuale me ekspertët e biznesit dhe imazhit tregtar. “Në çdo trajnim dhe këshillim individual, si unë dhe Iliri, kemi qenë të vëmendshëm në maksimum dhe me plot dëshirë për të marrë sa më shumë nga këshillimet. Këtë pjesëmarrje në këtë program e shohim si një ndihmë të madhe dhe të rëndësishme për biznesin tonë.” thotë Rudina.

Gjatë takimeve individuale të ekspertëve të biznesit në lokalin e Rudinës dhe Ilirit. Foto: UNDP Albania
Pamje nga ambjenti i lokalit të Rudinës dhe Ilirit. Foto: UNDP Albania

Rudina, e cila kur flet për vendin e saj të punës, çdo fjalë është e thotë me pasion, pret me padurim rezultatet pas përfundimit të programit. “Jam shumë falënderuese ndaj projektit. Projekti po më nxit të bëj gjëra të reja dhe të eci para. Tërmeti dhe pandemia më kanë demoralizuar aq shumë, saqë kisha vendosur që ta mbyllja biznesin por In Motion është arsyeja që po e mbaj gjallë ende këtë.”, shprehet ajo.

Pas këshillimeve me konsulentët e biznesit dhe me eksperten e imazhit tregtar, tashmë “shtëpia” e Rudinës do ketë një emër dhe një brand të ri: “Te Rudi”. Gjithashtu, përveç ndryshimeve vizuale, biznesi i Rudinës dhe Ilirit do të ketë pajisje të reja, të cilat mundësohen nga metodologjia In Motion, pjesë e Programit për Rimëkëmbjen Ekonomike dhe Qendrushmërinë, për të maksimizuar efektet e asistencës teknike dhe mbështetjen.

“Ajo që mezi pres është që njerëzit të kthejnë kokën nga lokali ynë”, shprehet Rudina, e cila me emocion të madh po pret se si do duket lokali i saj pas një transformimi total.

Biznesi i Rudinës dhe Iirit nuk janë të vetmit që janë bërë pjesë e IN Motin. 35 biznese të tjera në zonën e Astirit, Bashkia Tiranë, po mbështeten nga In Motion.

In Motion në Astir është pjesë e projektit “Rimëkëmbja Ekonomike dhe Qëndrueshmëria” (ERR), zbatohet nga UNDP dhe mbështetet nga Bashkia Tiranë. ERR financohet nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe Qeveria Hollandeze.

Rudina dhe Iliri në biznesin e tyre. Foto: UNDP Albania
Pamje nga ambjenti i lokalit të Rudinës dhe Ilirit. Foto: UNDP Albania
Pamje nga ambjenti i lokalit të Rudinës dhe Ilirit. Foto: UNDP Albania

Start typing and press Enter to search