Vështirësitë e përditshme dhe sfidat për ndryshim të Berber Erjonit

Erjon Puci është një berber me eksperiencë disa vjeçare, vullneti dhe dedikimi i të cilit, e kanë nxitur të punojë pareshtur për biznesin e tij të vogël, pavarësisht kushteve të vështira.

Erjon Puci në ambjentet e biznesit të tij. Foto: UNDP Albania

Prej vitit 2014, Erjoni ka hapur biznesin e tij “Berber Erjon” në zonën e Astirit, Bashkia Tiranë, në një ndër rrugët me fluksin më të lartë në zonën e Astirit. Pavarësisht këtij fakti, ecuria financiare e biznesit nuk është në nivele të kënaqshme për të.

Erjoni e përshkruan ecurinë e biznesit të tij me shumë luhatje dhe cilëson si dy momentet më të vështira për të dhe familjen e tij, tërmetin e vitit 2019 dhe pandeminë Covid19. “Pas tërmetit u detyrova të marr një ambjent me qera më të vogël se ai që kisha fillimisht, duke qenë se fitimet ishin minimale. Ishte e pamundur ta përballoja” shprehet Erjoni.

Pas pandemisë, periudhë e cila ndikoi në shumë biznese shqiptare dhe jo vetëm, Erjoni tregon se gjendja e tij u përkeqësua edhe më shumë. Të ardhurat që ai gjeneron nga biznesi i tij, janë burimi kryesor i të ardhurave të familjes që përbëhet nga prindërit e tij, bashkëshortja dhe djali i tij 3-vjeçar. “Pas pandemisë, gjendja financiare u rëndua, të ardhurat na u përgjysmuan. Mund të them se është periudha më e keqe e jetës sime.” thotë Erjoni.

Për shkak të kësaj situate të rënduar, Erjoni nuk ka patur mundësi të rinovojë pajisjet apo arredimin e brendshëm të biznesit, dhe pavarësisht konkurrencës së lartë në zonën ku ndodhet, nuk ka mundur të ushtrojë profesionin me kushtet që nevojiten. “Nuk kam mundur ta bëj biznesin siç dua, kjo më ka demoralizuar shumë. Unë vijoj ta ushtroj profesionin tim me pajisje të vjetëruara, të cilat nuk më japin mundësi të aplikoj trendet e reja në fushën e parukerisë apo të tërheq klientë të rinj” shprehet ai.

“Kur mësova për In Motion, me shumë entuziasëm kam dashur të jem pjesë. Jam shumë i sigurt që pas përfundimit të projektit biznesi im do të ringrihet dhe unë do vijoj të ushtroj aktivitetin tim privat, por tashmë më pajisje të reja dhe me formim shumë më profesional përsa i përket menaxhimit të biznesit tim” na tregon Erjoni me plot besim dhe shpresë.

Metodologjia “In Motion”, pjesë e të cilit janë edhe 34 biznese të tjera në zonën e Astirit, do e suportojë Erionin me pajisje të reja dhe përmirësim të imazhit tregtar, të cilat do ndryshojnë gjendjen socio-ekonomike të gjithë familjes së tij. Mbi të gjitha, do t’i japë sërish shpresë dhe do të nxisë shpirtin sipërmarrës të Erjonit, i cili shprehet: “Kam patur mundësi të punësohem si berber në biznese të tjera, por nuk kam pranuar pasi dua të shfrytëzoj aftësitë e mia, në biznesin tim.”

Falë “In Motion”, Erjoni do të ketë një sallon thuajse të ri, si në aspektin vizual, me logo dhe identitet të ri, ashtu edhe në aspektin funksional, me pajisje të reja të cilat do ta ndihmojnë në aktivitetin e tij. Erjoni do të përdorë gjithashtu mediat sociale për të reklamuar biznesin e tij, pas këshillimeve me eksperten e biznesit dhe do të ketë mundësi të eksperimentojë në profesionin e tij. Kështu, Erjoni do realizojë dëshirat, që flenë të heshtura prej vitesh për shkak të pamundësisë ekonomike.

Pamje nga Berber “Erjoni”. Foto: UNDP Albania

In Motion në Astir është pjesë e projektit “Rimëkëmbja Ekonomike dhe Qëndrueshmëria” (ERR), zbatohet nga UNDP dhe mbështetet nga Bashkia Tiranë. ERR financohet nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe Qeveria Hollandeze.

Start typing and press Enter to search